ANKARA (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë, i ka dërguar dy notë proteste Holandës. Njëra notë proteste është dërguar për pengesat e nxjerra ndaj ministrave turq, ndërsa tjetra për keqtrajtimin e qytetarëve turq në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike, thuhet se i ngarkuari me punë pranë Ambasadës së Holandës në Ankara, Daan Feddo, është thërritur në MPJ e Turqisë. Gjatë takimit atij i është përcjellë shqetësimi për anulimin e uljes së avionit të ministrit turk të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşolu si dhe është dënuar ky akt.
I ngarkuari me punë është thërritur për herë të dytë më 12 mars dhe i është përcjellë shqetësimi gjithashtu edhe për ndalimin e takimit të ministres turke të Çështjeve Sociale dhe Familjes, Fatma Betül Sayan Kaya, me qytetarët turq që jetojnë në Holandë, si dhe është dënuar ky akt.
Ndërsa gjatë ditës së sotme i ngarkuari me punë është rithirrur në MPJ dhe i janë dorëzuar dy notë proteste për rastet në fjalë.
Në notën e protestës është theksuar se sjellja ndaj ministres turke është shkelje e hapur e marrëveshjes së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, e firmosur në vitin 1961, si dhe në kundërshtim me marrëveshjen e Vjenës për shërbimet konsullore, marrëveshje kjo e firmosur në vitin 1963.
Në këtë kuadër burimet diplomatike thanë se Turqia ka kërkuar që Holanda të kërkojë falje zyrtarisht për shkeljet.
Në notë proteste gjithashtu shkruhet se Turqia mban të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim, si dhe ka kërkuar nga autoritetet holandeze të vihen përpara drejtësisë ata që kanë urdhëruar këtë shkelje si dhe të informohet MPJ e Turqisë në lidhje me zhvillimet.
MPJ e Turqisë ka kërkuar nga autoritetet holandeze gjithashtu që të dërgojë një letër me shkrim ku të pranojë sigurinë e të gjithë personave me pasaportë diplomatike, jetën e tyre dhe për mallrat e tyre të tundshme dhe të patundshme, nisur nga marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje.
Ndërsa në notë protestën e dytë thuhet se MPJ e Turqisë dënon veprimet çnjerëzore të policisë holandeze ndaj qytetarëve turq të cilët ishin tubuar në mënyrë paqësore.
Ky veprim është në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të njeriut, thuhet ndër të tjera.
Nga ana tjetër theksohet se mos lejimi i qytetarëve turq të shkojnë në Konsullatën e Turqisë në Rotterdam është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa theksohet se përdorimi i forcës dhe pengimi i gazetarëve është një tjetër shkelje e rëndë e kryer nga autoritetet holandeze.
MPJ e Turqisë ka kërkuar nga autoritetet holandeze që të vihen përballë përgjegjësisë ata persona të cilët kanë shkelur ligjin dhe kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve turq duke i privuar nga e drejta për tu tubuar.