Merve Özlem Çakır
28 Shkurt 2019•Përditësim: 28 Shkurt 2019
Eksportet e Turqisë në janar kanë shënuar rritje me 5,9 për qind në 13 miliardë dollarë ndërsa importet rënie me 27,2 për qind në 15 miliardë e 673 milionë dollarë në krahasim me janarin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti i Statistikave të Turqisë (TÜİK), shpalosi statistikat e përkohshme të tregtisë së jashtme për muajin janar, të krijuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë.
Sipas kësaj, eksportet e Turqisë në janar janë rritur me 5,9 për qind në 13 miliardë dollarë, ndërsa importet ranë me 27,2 për qind në 15 miliardë e 673 milionë dollarë në krahasim me janarin e kaluar. Ndërkohë deficiti i tregtisë së jashtme në këtë periudhë, është ulur me 72.5 për qind nga 9 miliardë e 89 milionë dollarë në 2 miliardë e 503 milionë dollarë.
Raporti i mbulimit të eksporteve ndaj importeve (Coverage Ratio), nga 57.8 për qind që ishte në janarin e vitit të kaluar u rrit në 84 për qind për të njëjtin muaj të këtij viti.
Gjithashtu eksportet e Turqisë me Bashkimin Evropian (BE) në muajin janar u rritën me 4 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur në 6 miliardë e 762 milionë e 321 mijë dollarë.
Gjermania ka qenë vendi ku janë realizuar eksportet më të mëdha muajin e kaluar me 1 miliard dollarë e 289 milionë euro, e cila ndiqet nga Mbretëria e Bashkuar me 937 milionë dollarë dhe nga Italia me 783 milionë dollarë.
Ndërsa në import vendi i parë është renditur Rusia me 1 miliard e 709 milionë dollarë, e cila u pasua nga Kina me 1 miliard e 462 milionë dollarë dhe Gjermania me 1 miliard e 199 milionë dollarë.