Nazlı Yüzbaşıoğlu
30 Shtator 2021•Përditësim: 30 Shtator 2021
Zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Faruk Kaymakcı, ka vlerësuar kontributin e Gjermanisë në përparimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), transmeton (AA).
Duke u adresuar në një seminar online mbi marrëdhëniet turko-gjermane dhe perspektivat për epokën pas kancelares gjermane, Angela Merkel, ministri Kaymakcı theksoi lidhjet e veçanta midis dy vendeve.
Kaymakcı tha se lidhjet historike, bashkëpunimi në tregti dhe investime, aleanca e NATO-s, si dhe diaspora e madhe turke që jetojnë në Gjermani luajnë një rol në lidhjet e veçanta midis Gjermanisë dhe Turqisë.
Sipas tij, Gjermania, si shtylla më e rëndësishme dhe kontribuesi më i madh neto në buxhetin e BE-së, pas përshkallëzimit në verën e vitit 2020 po ashtu luajti një rol pozitiv në kthimin në një gjendje më të qetë të çështjeve dhe mosmarrëveshjeve mbi Egjeun, Qipron dhe Mesdheun Lindor.
Duke iu referuar komenteve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, se Turqia së shpejti do të ratifikojë Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, ai theksoi se Gjermania është një partner thelbësor i vendit në transformimin e gjelbër.
Kaymakcı po ashtu komentoi mbi azhurnimin e marrëveshjes së Unionit Doganor midis Turqisë dhe bllokut evropian.
"Shpresojmë që qeveria e re gjermane t'i japë përparësi kësaj çështjeje, pasi nga azhurnimi do përfitojnë shumë edhe nga bizneset gjermane dhe kompanitë e BE-së", tha ai.
Duke kujtuar se Turqia dhe BE-ja do të iniciojnë Mekanizmin e Dialogut të Nivelit të Lartë brenda dy javësh, ai theksoi se udhëtimi pa viza i qytetarëve turq do të jetë ndër çështjet kryesore për t'u diskutuar.
Kaymakcı tha se nëse qytetarëve turq u jepet kjo e drejtë, të paktën 20 milionë prej tyre do të përfshihen në sektorët e turizmit, shërbimeve, transportit dhe biznesit në Evropë.
Ai tha se një çështje tjetër e rëndësishme që duhet adresuar është çështja e migrimit të rregullt. Ai shtoi se Turqia parashikon një marrëveshje të re për këtë çështje, në të cilën BE-ja dhe Gjermania kontribuojnë në mënyrë aktive.