Sarp Özer
10 Janar 2017•Përditësim: 11 Janar 2017
ANKARA (AA) – Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim, ka thënë se “Siguria e Evropës fillon nga Turqia. Nëse Turqia nuk është e sigurtë, atëherë edhe Evropë nuk është aspak e sigurtë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Yildirim, në fjalimin që ka mbajtur në drekën e organizuar në Pallatin Çankaya me rastin e Konferencës së Nëntë të Ambasadorëve, ka theksuar se ambasadorët valëvisin flamurët e Turqisë në mbi 200 shtete dhe se janë krenaria e Turqisë në ato vende.
Duke theksuar se puna e ambasadorëve nuk është e lehtë, Yildirim ka thënë se “Turqia aktualisht është e detyruar të zhvillojë e vetme një luftë edhe atë jo në një dimension, por në shumë dimensione. Turqia po sulmohet në mënyrë asimetrike.”
Ai më tej është shprehur se janë duke zhvilluar një luftë gjithëpërfshirëse me PKK-në, DEASH-in, nga njëra anë, dhe FETO-n në anën tjetër.
“Shumë shtete luftën kundër organizatës terroriste DEASH e kanë vetëm në fjalë. Përmes operacionit Mburoja e Eufratit, Turqia po zhvillon luftën e vërtetë me këtë organizatë në Siri, Bashika, Irak dhe Turqi. Bota tanimë duhet ta shohë këtë gjë, është e detyruar ta shohë. Turqia po bën një luftë të madhe për stabilitetin e rajonit. Synimi dhe qëllimi ynë është t’i shtojmë miqtë në politikën e jashtme dhe t’i pakësojmë armiqtë. Duke e bërë këtë ne do të sigurojmë paqe, stabilitet dhe siguri për rajonin dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuojmë në mënyrë të konsiderueshme në paqen rajonale dhe globale. Në këtë mënyrë, do ta shpëtojmë të ardhmen e miliona njerëzve të pafajshëm”, ka vazhduar Yildirim.
“Ky është një hap”
Kryeministri Yildirim po ashtu ka tërhequr vëmendjen se Turqia është e rrethuar nga një hallkë e zjarrtë dhe se gjendja në Siri prej pesë-gjashtë vitesh është përkeqësuar çdo ditë e më shumë. Ai tha se me iniciativën e presidentit Recep Tayyip Erdoğan qeveria ka marrë rol më aktiv në ndaljen e gjakderdhjeve dhe përfundimin e dhimbjeve në Siri dhe se me kontributet e Rusisë dhe Iranit kanë arritur armëpushimin.
Sipas tij, megjithëse i vonuar, ky është një hap i rëndësishëm. “Sërish u ngjallën shpresat e atyre njerëzve të pafajshëm dhe të dëmtuar për të ardhmen dhe u përmirësua gjendja e tyre shpirtërore. Ne nuk u mjaftuam vetëm me këtë, por këtë armëpushim e paraqitëm para Kombeve të Bashkuara dhe gjithë botës. Ky është një hap”, ka vënë në pah Yildirim, duke shtuar se Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces dhe se në të ardhmen e afërt këto dhimbje do të marrin fund.
Kryeministri turk ka theksuar se më shumë se gjysma e popullsisë siriane, rreth dhjetë milionë njerëz, kanë braktisur vendin, prej të cilëve tre milionë janë pritur në Turqi. Duke nënvizuar se Turqia është duke shkolluar mbi 300 mijë nxënës, ai ka rikujtuar se mbi 200 mijë foshnje kanë lindur në Turqi.
Siç tha kryeministri i Turqisë, të gjitha këto i kanë bërë me dashuri dhe vullnet. “Sepse këto fëmijë, këta njerëz të pafajshëm, nuk kanë asnjë mëkat në këtë luftë. Ata po paguajnë çmimin e kësaj lufte të pakuptimtë. Për këtë arsye ne themi se njerëzimi nuk ka vdekur dhe i pranojmë ata në gjirin tonë. Ndajmë bukën dhe shtëpitë tona. Ndihmojmë fqinjëve në ditë të vështira”, ka vazhduar Yildirim.
Ndërkaq, kryeministri Yildirim ka vënë në dukje se bota, nga ana tjetër, nuk është duke bërë asgjë tjetër përveç t’ia kthejë shpinën Turqisë.
“Shtetet e Evropës flasin mjaft. Lëreni të folurit e angazhohuni pak, merrni pak nga barra. Kjo barrë nuk duhet ngelur vetëm mbi Turqinë. Siguria e Evropës fillon nga Turqia. Nëse Turqia nuk është e sigurtë, atëherë edhe Evropë nuk është aspak e sigurtë. A ka ndonjë vend ku nuk ndodh terror? Ndodh një incident te ne, një ditë në Evropë, e një ditë tjetër në Amerikë. Për këtë arsye, nuk ka shtet të sigurtë kundër terrorit”, është shprehur Yildirim, duke e theksuar nevojën për bashkëpunim kundër terrorizmit dhe heqjen dorë nga lëvizjet dhe politikat që inkurajojnë terroristët.
Ai është shprehur se veçanërisht ambasadorët në Evropë bartin mbi supe detyrë të rëndësishme. Sipas tij, është e nevojshme që ambasadorët, krahas takimeve zyrtare, të hulumtojnë mediat në vendet ku gjendet, t’i vizitojnë, të organizojnë aktivitete të ndryshme dhe t’i thyejnë perceptimet e gabuara.
Duke folur në lidhje me organizatën terroriste FETO, ai është shprehur se ata kanë mbledhur të holla madje edhe nga të varfërit për “ta kënaqur Zotin”, ndërsa tani me të njëjtat para zhvillojnë propaganda për të krijuar perceptime të gabuara.
“Ata po harxhojnë të holla të shumta për aktivitete që dëmtojnë turizmin, ekonominë dhe sigurinë e Turqisë. Të hollat e kujt i harxhojnë? I harxhojnë paratë e qytetarëve”, ka theksuar kryeministri turk Binali Yildirim. Ai ka shtuar më tej se Turqia përmes takimeve diplomatike në vendet ku gjendet dhe përmes aktiviteteve do të punojë për zhdukjen e pranisë së tyre dhe se shteti turk ka fuqi që t’ua japë dënimin atyre që i kanë shpallur armiqësi Turqisë.