Cuneyt Davut
27 Gusht 2016•Përditësim: 28 Gusht 2016
SHKUP (AA) – CÜNEYT DAVUT
Ali Riza Altunel, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Mësimit të Përjetshëm në Ministrinë e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, duke theksuar se përmes programeve mësimore me korrespondencë synojnë që bashkatdhetarëve turq t’u ofrojnë mundësi për mësimin e gjuhës turke, tha se “Synimi ynë themelor është që komunitetet turke të mos e harrojnë turqishten veçanërisht duke komunikuar në gjuhët e vendeve në të cilat jetojnë dhe të mos i shkëpusin lidhjet me familjarët në Turqi”, raporton Anadolu Agency (AA).
Altunel bëri të ditur se po përpiqen t’i shëtisin vendet e Ballkanit me qëllim të prezantimit të shkollave turke me korrespondencë. Gjatë vizitës në Maqedoni, ai u prononcua për gazetarin e AA-së në lidhje me programet me korrespondencë.
Ai vuri në pah se në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Mësimit të Përjetshëm ekzistojnë katër shkolla me korrespondencë, konkretisht një shkollë fillore, një e mesme, një shkollë e mesme profesionale dhe një medrese. “Këto shkolla janë shkolla që zhvillojnë proces arsimor në konceptin e shkollave me korrespondencë si Liceu Anadolu dhe Fakulteti me Korrespondencë, të cilat janë të njohura në Turqi dhe nga opinioni publik këtu dhe në Ballkan në përgjithësi”, shtoi më tej Altunel.
Duke theksuar se këto shkolla i kanë themeluar për t’u ofruar shërbime të gjithë bashkatdhetarëve turq dhe familjarëve që flasin dhe e dinë turqishten në të gjitha shtetet, Altunel u shpreh se “Po zhvillojmë takime me organizatat e shoqërisë civile në Maqedoni, me ambasadën dhe institucionet tona të tjera dhe jemi këtu për t’u ofruar mundësi shkollimi në shkollat tona bashkatdhetarëve dhe familjarëve tanë që nuk kanë mundur të gjejnë mundësi shkollimi.”
- Diplomat janë të akredituara në çdo vend të botës -
Altunel tha se shkollat me korrespondencë kanë konceptin e shkollimit nga larg, se studentët u nënshtrohen provimeve vetëm tri herë në vit dhe se studentët mund ta vazhdojnë shkollimin duke pasur qasje përmes në çdo lloj materiali falas. “Një çështje që dua ta nënvizoj këtu është se diplomat që ofrohen nga shkollat tona me korrespondencë janë thuajse të njëjta me diplomat që jepen në shkollat me proces mësimor të rregullt. Këto janë diploma të akredituara në çdo vend të botës. Rrjedhimisht, me këto diploma bashkatdhetarët dhe familjarët tanë do të kenë mundësi të gjejnë punë në shumë vende”, deklaroi Altunel.
Duke vënë në pah se përmes këtij programi synojnë që t’u mundësojnë shkollim në gjuhën turke komuniteteve mike që më parë nuk kanë pasur një mundësi të tillë, Altunel u shpreh se “Një tjetër çështje e rëndësishme është se komunitetet turkfolëse, për shkak të sistemit arsimor në vendet ku jetojnë, ose janë të detyruar ta braktisin shkollimin ose fillojnë ta harrojnë turqishten për shkak të vazhdimit të tij në gjuhën e shtetit ku jetojnë.”
Altunel theksoi se veçanërisht në Maqedoni ka një popullatë të madhe turke dhe se dëshirojnë që “vëllezërit” këtu të përfitojnë nga kjo mundësi.
- Shërbimi do të ofrohet falas -
Altunel u shpreh se shërbimi i shkollimit me korrespondencë do të jetë falas. “Ky shërbim i yni nuk është me pagesë. Studentët mund të regjistrohen me një pagesë vjetore simbolike e cila nuk do të kalojë mbi 100 euro. Ne do t’i dërgojmë librat dhe do t’i sigurojmë materialet”, njoftoi ai.
Altunel, duke theksuar se në shkollat me korrespondencë nuk do të ketë kufizim në moshë dhe ndarje gjinore, shtoi se gjithsecili mund të regjistrohet.
Ai tërhoqi vëmendjen se me materialet që do të mund të shkarkohen pas regjistrimit, studentët dhe nxënësit në këto shkolla mund ta ndjekin arsimin me lehtësi, duke vazhduar më tej se “Veçanërisht dëshirojmë të konkurrojnë vajzat tona të reja të cilat nuk kanë pasur mundësi shkollimi në Ballkan. Në të njëjtën mënyrë, edhe ata që punojnë me bujqësi dhe blegtori në çfarëdo kohe gjatë ditës apo natës, në fund do ta kenë mundësinë të ndajnë kohë edhe për studim kur të kenë dëshirë.”
Altunel bëri të ditur se zyra e shkollimit me korrespondencë në Maqedoni gjendet në qytetin e Gostivarit. Në lidhje me Maqedoninë, ai tha se “Posaçërisht dua të theksoj një çështje në lidhje me Maqedoninë: Në kuadër të udhëzimeve të Presidentit tonë, ekziston Fondacioni MARIF i themeluar rishtazi në Ministrinë tonë të Arsimit. Lus Zotin që me këtë fondacion në të ardhmen e afërt të kenë mundësi të hapin shkolla edhe në Ballkan, ndërkohë që janë përgatitur punimet e ministrisë sonë në lidhje me angazhimin e Sekretarit Arsimor, gjë që është një mungesë e rëndësishme në Maqedoni. Nuk do të kemi asnjë mangësi dhe mungesë në lidhje me shkollimin dhe arsimimin këtu.”
- “Synimi ynë themelor është t’i përfshijmë të gjithë bashkatdhetarët tanë këtu” -
Në deklaratën në lidhje me synimet e programeve me korrespondencë, Altunel tha se “Synimi ynë themelor është që t’i përfshijmë të gjithë bashkatdhetarët tanë këtu që e flasin turqishten dhe dëshirojnë të shkollohen në gjuhën turke.”
Ai theksoi se synimet e tyre prioritare janë që në Maqedoni të krijojnë shumicë me të cilët do të mund të formojnë klasa dhe qendra provimesh. “Komunitetet turkfolëse e kanë harruar gjuhën e tyre duke folur gjuhën zyrtare të shtetit ku jetojnë dhe i kanë shkëputur lidhjet me familjarët në Turqi”, theksoi Altunel.