Canan Tükelay
04 tetor 2026•Përditësim: 04 tetor 2026
Aysegul Bilensoy, e cila punon si mësuese mjeshtre në Institutin e Pjekurisë së Afyonkarahisarit, u jep jetë të re mbetjeve të mermerit përmes punimit me dorë, transmeton Anadolu.
Bilensoy, nënë e tre fëmijëve, tha se prej 20 vitesh punon si mësuese mjeshtre në fushën e mozaikut të mermerit.
Ajo tregoi se gjyshi i saj ishte mjeshtër guri dhe se e kishte ndjekur rrugën e tij. “Gjyshi im ndërtonte xhami dhe minare. Më pas profesionin e mori babai im. Tani këtë zanat që e vazhdoi babai për një kohë, po e bëj unë. Mermeri është një pasion. Thonë se pasi të marrësh erën e pluhurit të mermerit, ai bëhet pasion”, tha ajo.
- “Një vepër e përfundoj për rreth 2 muaj e gjysmë”
Bilensoy tha se në institut përdorin mbetjet e mermerit dhe i shndërrojnë në vepra arti me teknikën e mozaikut.
“Afyonkarahisari është qytet i mermerit. Ne i përdorim mbetjet e mermerit dhe i shndërrojmë në vepra arti. Bëjmë aksesorë për shtëpi dhe ndërthurim motive tradicionale me punime origjinale. Çdo gur ka damarët e vet. Një vepër e përfundoj për rreth 2 muaj e gjysmë”, tha ajo.
Bilensoy tha se punon kryesisht vazo dhe tablo, ndërsa rreth dy vjet më parë përgatiti edhe një tablo të madhe ku paraqitet Omer Halisdemir, i cili u vra gjatë përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut 2016.
Drejtoresha e institutit, Mine Yalavaç Saban, tha se në punimet e tyre përdorin ngjyrat natyrale të mermerit.
Ajo theksoi se duke bashkuar copa mermeri të thyera me nuanca të ndryshme krijohen motive tradicionale dhe origjinale, ndërsa veprat e punuara me dorë kontribuojnë në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e ardhshëm.