Sibel Vezaj
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Misioni i OSBE-së në Kosovë sot organizoi një konferencë për të promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet komuniteteve përmes arsimimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, gjatë fjalimit të tij foli për rëndësinë e arsimit dhe të edukimit, si dhe të ndikimit të tyre në hulumtimin e identiteteve dhe në zhvillimin e aftësive të nevojshme që të gjithë pjesëtarët e shoqërisë të kenë pjesëmarrje të barabartë sociale dhe ekonomike. Ai theksoi se arsimi ndihmon në hulumtimin dhe në kuptimin e çështjes së identitetit, se si njerëzit ndërlidhen dhe afrohen me të tjerët.
“Qëllimi i konferencës së sotme është të përafrojë institucionet e nivelit lokal dhe qendror, që kanë role aktive dhe përgjegjësi në promovimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë, si dhe që të diskutojmë zhvillimin e kurrikulave dhe librave shkollore, që inkorporojnë metodat e mësimit ndërkulturor dhe ndëretnik në të gjita gjuhët e komuniteteve në Kosovë”, ka thënë.
Duke vënë në dukje se ngjarja e sotme është një hap i rëndësishëm drejt nxitjes së dialogut dhe ndërlidhjes së komuniteteve, si dhe promovimit të pajtimit mes tyre, Bajrami tha se “Pajtimi mes komuniteteve ka një vlerë të theksuar. Nuk është ndonjë ideal apo ndonjë teori, shkon përtej saj. Pajtimi mes komuniteteve është i dobishëm për të gjitë, pra nuk është ndonjë dhuratë që i bëhet dikujt, apo një dobi i një personi të vetëm. Pajtimi mes komuniteteve krijon kushte më të mira për progress dhe zhvillim ekonomik”.
Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknoligjisë, Arsim Bajrami tha se edukimi është një fushë a ku ne duhet të promovohet “diversiteti, multietniciteti, dialogu dhe këtë frymë të orientohen të rinjtë që të edukohen me një frymë mirëkuptimi, tolerance për secilët.
“Kjo iniciativë e OSBE-së njëkohësisht edhe një qasje që ne në Ministrinë e Arsimit bëjmë promovimin e politikave të përfshirjes së të gjitha komuniteteve në një arsim cilësor dhe proces të edukimit ku secili ka mundësi të edukohet në gjuhën e vet, të ruajë dhe të mbrojë identitetin e vet, promovojë kulturën e vet dhe një mundësi ne duhet të ofrojmë në të gjitha nivelet e arsimit nga niveli parafillor, e deri në nivelin universitar”, tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami po ashtu foli për qasjen afirmative të Ministrisë së Arsimit, nga niveli parashkollor e deri në arsimin e lartë. Ai bëri të ditur se ka vizituar komunitetin egjiptas, rom dhe ashkalinj për ta ngritur nivelin e pjesëmarrjes së këtyre komuniteteve në arsim dhe bëri të ditur se në formimin e teskteve shkollore po bashkëpunojnë me qeveritë amë të komuniteteve pakicë, si me Bosnjë e Hercegovinën dhe me Turqinë.
Kurse për integrimin e komunitetit serb, Bajrami tha se pjesëmarrja e tyre po varet më shumë nga paragjykimet politike. Ai vuri në dukje se tani duhet të fillojë dialogu në mes të rinjve, duke thënë se “Nuk mund t’i ndajmë të rinjtë, nuk janë muret perspektivë e Kosovës. Nuk do të ndërtojmë mure në shekullin 21, por një edukim në frymën pozitive”.
Në kuadër të kësaj konference do të dëgjohen edhe perspektivat e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve për politikat arsimore të zbatuara në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.