Admir Fazlagikj
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 23 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Në Shkup sot u mbajt konferencë për media për punëtorinë për “Propozimet dhe zgjidhjen e problemeve në arsimin turk në Maqedoni” që do të mbahet më 24 dhe 25 dhjetor në organizim të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Maqedonisë dhe Institutit "Yunus Emre", raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Shërbimit pedagogjik në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Muedin Kahvexhi, përgjegjës për librat për arsimin fillor dhe të mesëm në të gjitha gjuhët në Maqedoni informoi se në muajt e kaluar ka zhvilluar takim me përfaqësues të institutit "Yunus Emre", prej ku doli nisma për bashkëpunim të ndërsjellë.
Kahvexhi theksoi se janë pajtuar që për të gjitha çështjet për procesin edukativo-arsimor në gjuhën turke të diskutohen në konferecën dyditore, financuar nga Instituti "Yunus Emre" në Shkup.
Në punëtorinë pritet që pjesëmarrësit t’i theksojnë problemet me të cilat përballen në arsim dhe problemet të ndahen në tre lloje: afatshkurte, afatmesme dhe afatgjate si dhe të prezantohen propozime për tejkalimin e problemeve.
Kahvexhi informoi se në punëtorinë do të marrin pjesë nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në vend ku përskaj gjuhës shqipe dhe maqedonase mësohet edhe gjuha turke. Sipas tij, në territorin e Maqedonisë në 65 shkolla fillore mësohet gjuha turke dhe në 13 shkolla të mesme, prej të cilave në shtatë gjimnaze dhe pesë shkolla të mesme profesionale.
Zëvendës drejtori i Institutit "Yunus Emre" në SHkup, Fuat Korkmaz shprehu kënaqësinë që Instituti "Yunus Emre" është pjesë e këtij projekti për të cilin konsideron se do të ketë kontribut të madh në përmirësimin e cilësisë së arsimit në gjuhën turke.
“Nga themelimi i 'Yunus Emre' në Maqedoni në vitin 2010, realizuam shumë projekte të rëndësishme në drejtim të arsimit të gjuhës turke në Maqedoni. Deri tani mbi tre mijë shtetas të Maqedonisë kanë mësuar gjuhën turke. Vazhdojmë me mbështetjen tonë në drejtim të arsimit në gjuhën turke”, tha Korkmaz duke folur për punëtorinë e cila do të mbahet më 24 dhe 25 dhjetor.
Në këtë konferencë për media ishte e pranishme edhe zëvendës koordinatorja e TIKA-s në Shkup Emine Gizem Bashkan e cila tha se TIKA nga fillimi jep rëndësi dhe përparësi të madhe në projektet për arsim.
“Në këtë drejtim kjo punëtori, ku do të indentifikohen problemet në arsimin turk në Maqedoni dhe do të propozohen zgjidhje, presim që të sjell perspektivë më ndryshe ndaj projekteve që t’i realizojmë në të ardhmen”, tha Bashkan.
Bashkëfolësit besojnë se punëtoria do t’i realizojë qëllimet e parapara dhe se do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në gjuhën turke, por dhe gjuhëve tjera që mësohen në Maqedoni.