Sibel Vezaj
27 Janar 2017•Përditësim: 27 Janar 2017
PRISHTINË (AA)- Organizata jo-qeveritare “Instituti Demokraci për Zhvillim” sot organizoi një konferencë për prezantimin e studimit me temë "Stimujt për reformë: Rritja e mundësive për nxënësit/et dhe të diplomuarit/at e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës", raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, Shpend Emini nga Instituti Demokraci për Zhvillim u shpreh se ky studim është nxitur nga nevoja për ta analizuar qeverisjen dhe strukturat e arsimit dhe të aftësimit profesional në Kosovë. Emini theksoi se tregu kosovar nuk mund t’i përmbushë kërkesat e numrit të madh të punëkërkuesve të rinj dhe sipas tij përgatitja sa më e mirë e të rinjve në tregun e punës është dhe duhet të mbetet në axhendën shtetërore të institucioneve të Kosovës.
“Qeveria aktuale ka vendosur të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe në punësim. Strategjia kombëtare e zhvillimit 2016-2021 e miratuar së fundi, e rangon arsimin përfshirë edhe arsimin dhe aftësimin profesional në mesin e 34 prioriteteve të parapara në kapitullin mbi kapitalin njerëzor, si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Emini.
Kurse Lah Nitaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u shpreh se pas rezultatit të testit të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), ku nga 72 vendet pjesëmarrëse Kosova u radhit ndër tre vendet më të dobëta, reagimi i Ministrisë së Arsimit ka qenë aprovimi i planit strategjik të arsimit të Kosovës për përudhën e ardhshme 5 vjeçare, sidomos për të identifikuar fushat dhe mundësitë që do të ndihmojnë që arsimi profesional tek të rinjtë të jetë fokus i kësaj ministrie. Nitaj po ashtu theksoi se ekonomia e Kosovës nuk po arrin të jetë në sinkroni me nevojat e punës së të diplomuarve të arsimit të lartë dhe sipas tij tashmë arsimi profesional është fusha dhe terreni më i përshtatshëm për të rinjtë, i cili mundëson edhe studimin, por edhe punësimin njëkohësisht.
“Aktualisht në arsimin profesional në arsimin e mesëm të lartë ne kemi të përfshirë mbi 50 për qind të të rinjve të shkollarëve tanë. Qëllimi i ministrisë është që ne të kemi ngritje kritike në këtë drejtim në mënyrë që pretendimi ynë është që të arrijmë që 60 për qind e të rinjve tanë të përfshirë në arsimin profesional”, tha Nitaj.
Ndërkaq, Fatmir Haxholli nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale theksoi nevojën e koordinimit të Ministrisë së Arsimit dhe të asaj të Punës si dhe bashkëpunimin e institucioneve publike me partnerët privat për maksimizimin e potencialeve financiare si dhe për përmirësimin e kushteve në aspektin e punësimit të të rinjve. Sipas tij, në kohën e tashme ku zhvillimet ekonomike janë shumë dinamike, nuk është e mundshme që institucionet të jenë të shkëputur nga partnerët privat.
Në anën tjetër, Jehona Serhati, hulumtuese e arsimit profesional shprehu nevojën e ngritjes së shkathtësive profesionale, duke vënë në dukje se për këtë jo gjithmonë nevojitet një diplomë e universitetit. “Për këtë arsye është e rëndësishme që edhe të kemi një zanat dhe të kushtojmë rëndësi disa aftësive dhe shkathtësive të cilat jo domosdoshmërisht i ofron universiteti ose niveli dhe orientimi akademik”, tha Serhati.