Malik Hasa
01 Korrik 2016•Përditësim: 02 Korrik 2016
TIRANË (AA)- Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është zhvilluar sot Konventa Kombëtare e Arsimit Profesional, ku të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar, mësues, nxënës që kanë zgjedhur arsimin profesional, etj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konventë mbajtën një fjalë përshëndetëse ministri shqiptar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi.
Klosi në fjalën e tij u shpreh se nëpërmjet arsimit profesional nxënësit dhe studentët që mbarojnë këto shkolla do të kenë mundësi punësimi jo vetëm në tregun lokal dhe rajonal të punësimit, por shumë më gjerë, që sipas tij të jenë në pjesë konkurrentë në tregun europian të punësimit.
“Më vjen mirë të konstatoj se qytetarët dhe nxënësit që mbyllin ciklin 9-vjeëar janë shumë më të ndërgjegjshëm se përfitimi do të vijë nga zgjedhja e arsimit profesional. Jemi pranë realizmit të objektit tonë afatgjatë, të dyfishimit të numrit të nxënësve që zgjedhin arsimin profesional. Është e qartë se kualifikimi në një profesion siguron punësim, garanton karrierë të sigurtë dhe mundësi për hapje biznesi. Mbi 12 për qind e nxënësve që kanë mbaruar shkollat e Tiranës sot kanë hapur një biznes të tyre. Shifrat këtë vit janë shumë inkurajuese”, u shpreh Klosi në fjalën e tij.
Ndërsa ministrja Nikolla ka theksuar në fjalën e saj se është e rëndësishme që formimi profesional të garantohet në përputhje me kërkesat e tregut.