Agon Fehmiu
09 Tetor 2015•Përditësim: 10 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Një grup prej rreth 200 studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP), të përkrahur nga shoqëria civile, sot kanë marshuar në shenjë mbështetjeje të rektorit Ramadan Zejnullahu dhe reformave që ai dhe ekipi i tij i kanë ndërmarrë, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim, në përgjithësi. Marshi ka filluar para Teatrit Kombëtar, ka vazhduar përgjatë shesheve “Nënë Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës, për të përfunduar te Rektorati, raporton Anadolu Agency (AA).
Aty, të pranishmëve iu drejtua studenti me emrin Dardan Konjufca, nga Klubi Politik i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, duke thënë se UP-ja është shndërruar në fole të krimit, në vend se të njihet si burim i dijes dhe shkencës.
“ Qysh prej vitit 1999, grupet e krimit kanë tentuar gjithmonë ta kapin Universitetin e Prishtinës, përmes grupeve dhe partive të ndryshme politike. UP në vend se të ishte një vatër e dijes dhe shkencës, është shndërruar në vatër të krimit. Sa më e madhe që të jetë tentativa e këtyre që ta kapin UP-në, aq më i madh do të jetë zëri dhe organizimi qytetarë dhe studentor, brenda Universitetit të Prishtinës” tha Konjufca.
Ai theksoi se marshi i organizuar sot, nuk është marshi i parë dhe as i fundit, në mbrojtje të Universitetit të Prishtinës dhe se, marshi në mbështetje të reformave për shpëtimin e Universitetit të Prishtinës është përkrahur edhe nga shoqëria civile, në mesin e të cilëve sot u panë publicisti Veton Surroi, pronarja e kompanisë KOHA, Flaka Surroi, Luan Shllaku nga KFOS (Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur) dhe shumë të tjerë. Dardani theksoi se ky marsh i mbështetjes për rektorin Zejnullahu në vete përmban tri kërkesa themelore.
“Kërkesa e parë është forcimi i autonomisë përbrenda Universitetit të Prishtinës. Ne jemi kundër çfarëdo grupi të organizuar para-politik, të grupeve studentore të dirigjuara nga partitë e ndryshme politike, si dhe nga pseudo profesorët të avancuar në UP përmes punimeve të tyre të falsifikuara” tha Dardan Konjufca duke potencuar se Klubi Politik Studentor mbështet plotësisht reformën e re të nisur nga menaxhmenti i ri në UP.
Kërkesat tjera të studentëve ishin që Qeveria e Kosovës të filloi ta konsideroj arsimin si prioritet, të investoj shumë më tepër në arsim dhe shkencë, si dhe të kërkoj përgjegjësi profesionale prej stafit akademik të UP-së.
Në fund, Konjufca porositi se, gjenerata e tashme e studentëve do të këmbëngul që Universiteti i Prishtinës të pastrohet nga krimi dhe ndikimi i partive politike, sistem ky i mbrapshtë i instaluar që nga viti 1999.
Studenti dhe aktivisti i Klubit Politik Studentor, Fitim Salihu dhe potencoi se marshi i sotëm nuk është bërë as për të mbrojtur dhe as për të sulmuar individë por për të mbrojtur koncepte të mira dhe luftuar konceptet e këqija.
“Ne këtu jemi për të mbrojtur një koncept që është koncept që po e ka menaxhmenti aktual për reforma në Universitet, për luftë kundër korrupsionit dhe ne jemi kundër një koncepti të keq në anën tjetër, jo kundër individëve. Jemi kundër konceptit të mbrapshtë i cili tash e 16 vjet e ka kthyer mbrapshtë Universitetin” tha Salihu
Ai theksoi se grupet kriminale që po veprojnë përbrenda Universitetit të Prishtinës janë evidentuar dhe hetuar nga prokuroria. Në mesin e atyre që janë hetuar, Salihu tha se ka shumë zyrtarë të Parlamentit Studentor, disa prej të cilëve kanë qenë edhe në paraburgim dhe kjo ishte publikuar edhe në media dhe shtypin ditor.
“Janë krejt evidente provat që tregojnë se kemi të bëjmë me grupe kriminale të cilat, në momentin që menaxhmenti i ri i Universitetit ka vendosur me iu lëkund pozitat e tyre, janë mobilizuar, të nxitur edhe nga politika, po mundohen ta ndalin këtë proces që po e udhëheq rektori...Ata nxitën nga partitë, kjo është krejt evidente sepse ata i kontrollojnë strukturat studentore, Parlamentin Studentor dhe këshillat studentore dhe nëpërmes këtyre ushtrojnë presion direkt dhe indirekt ndaj studentëve, për me i përkrah, përmes shantazheve të ndryshme” tha Fitim Salihu duke fajësuar për këtë dy partitë që janë në pushtet, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ditë më parë, dy grupe të studentëve të Universitetit të Prishtinës kishin protestuar kundër reformave të nisura nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu. Sot, grupi prej 200 studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ngritën zërin në shenjë përkrahje, siç thanë ata, për reformat e rektorit Zejnullahu dhe ndryshimet pozitive në UP, të cilat do t’i japin fund degradimit të institucionit kryesor të arsimit në Kosovë.