Fatjon Cuka
12 Tetor 2015•Përditësim: 13 Tetor 2015
TIRANË (AA) –Në Shqipëri ka nisur sot viti i ri akademik 2015-2016, ku 170 mijë studentë vijojnë studimet e larta, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në ceremoninë e fillimit te vitit te ri akademik, organizuar nga Universiteti i Tiranes, e cila u shpreh se ndihet e privilegjuar sa herë që ndodhet në mjediset e këtij universiteti. Këtë vit, Qeveria Shqiptare ka miratuar 18,986 kuota për 289 programe studimi.
“Universiteti i Tiranës logon e tij e ka kuq e zi dhe në fakt është kuq e zi, në kuptimin e universitetit më të madh në vend, në kuptimin e asaj që shënon si pjesë e identiteti më të vyer kombëtar në fushën e arsimit të lartë, ku breza studentësh janë sot, nderi i shoqërisë shqiptare në shumë fusha. Por, edhe falë asaj që ky universitet aspiron në rrugën e dijes, për të shënjuar standarde edhe më të mëdha në të ardhmen. Sot, 170 mijë studentë nisin rrugëtimin në ditën e parë të jetës së tyre universitare, ndaj suksese paçin dhe qoftë çdo ditë e tyre një ditë e arrirë e bashkëpunimit, e komunikimit dhe e dijes”- u shpreh Nikolla në fjalën e saj.
Ajo shtoi se ligji i ri i për arsimin e lartë do të mundësojë një situatë të re të lirisë akademikë.