Agim Sulaj
01 Shtator 2022•Përditësim: 02 Shtator 2022
Është përuruar në Gjakovë për herë të parë Abetarja e Përbashkët Unike për nxënësit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci.
Kryeministri Kurti tha se një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike.
Kurti tha se kështu po materializohet "frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë".
"Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët", tha ai.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e Shqipërisë ka përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve shqipfolës në mërgatë, e cila do të shpërndahet gjatë muajit shtator.
Abetarja e Përbashkët Unike ishte zotim i dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë nga mbledhja e përbashkët në nëntor të vitit të kaluar.