Husamedin Gina
01 Shtator 2022•Përditësim: 02 Shtator 2022
Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, duke uruar për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023 tha se në vend janë gjithsej 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ministri Shaqiri në ditën e parë shkollore të vitit shkollor 2022/2023 ka vizituar fillimisht shkollën fillore të sapondërtuar “Goce Dellçev” në komunën e Ilindenit.
Ai u bëri thirrje nxënësve që të mësojnë me përkushtim dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të ndërtuar njohuritë dhe aftësitë e tyre.
“Ne si ministri, së bashku me institucionet tjera kompetente të arsimit, punuam që të sigurojmë kushte për zhvillimin e suksesshëm të procesit edukativo-arsimor, përfshirë sigurimin e teksteve të reja shkollore dhe programeve mësimore, trajnimin e kuadrit mësimdhënës dhe rritjen e motivimit përmes pagave të larta duke filluar nga 15 për qind nga ky muaj. Si dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies aty ku ishte më me prioritet të investohet. Po ndërtohen disa shkolla të reja dhe salla sportive, 30 shkolla po rikonstruohen, janë prokuruar 265 kabinete të shkencave natyrore. E gjithë kjo investohet në arsim më cilësor, të cilin e meritojnë të gjithë fëmijët", tha Shaqiri.
Ministri falënderoi komunat për kontributin e tyre në përmirësimin e kushteve për procesin edukativo-arsimor në vitin e ri shkollor.
Këtë vit shkollor për herë të parë në bankat e shkollës janë ulur rreth 18 mijë nxënës të klasës së parë.
Duke theksuar se ata janë duke ecur në rrugën që do t'i përgatisë për të ndërtuar jetën e tyre personale dhe për të investuar në të ardhmen e atdheut, ministri Shaqiri tha se janë mësimdhënësit ata që do të hapin horizontin e tyre, ndërsa prindërit dhe kujdestarët janë ato që do të jenë mbështetje në ndërtimin e përparimit në të ardhmen.