Universiteti i New Yorkut në Tiranë mban ceremoninë e diplomimit
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër
Fatjon Cuka
02 korrik 2026•Përditësim: 02 korrik 2026
photo: Olsi Shehu / AA
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, për vitin akademik 2025-2026, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, gjatë fjalës në ceremoni u shpreh se është një burim i madh lumturie të ndajë këtë gëzim me studentët e diplomuar.
Foto : Olsi Shehu/AA
Ambasadori Erciyes theksoi se pasi e shikon cilësinë e arsimit në Shkollat e Fondacionit Maarif, e shikon me besim edhe të ardhmen e marrëdhënieve me Shqipërinë.
"Ne kemi lidhje shumë të forta historike, njerëzore dhe kulturore me Shqipërinë. Por ky bashkëpunim, kjo miqësi bëhet shumë më e fortë me bashkëpunimin tonë në arsim", tha ambasadori turk.
Ambasadori turk shtoi se studentët në UNYT jo vetëm që kanë marrë një arsim modern dhe me cilësi të lartë, por sipas tij janë përgatitur edhe për jetën shumë mirë.
Zëvendësministri i Arsimit i Turqisë, Cihad Demirli, foli rreth veprimtarisë së Fondacionit Turk Maarif dhe shtrirjes së tij në vende të ndryshme të botës.
Foto : Olsi Shehu/AA
"Deri më sot, fondacioni ynë zhvillon veprimtarinë e tij arsimore në 66 vende përmes 540 institucioneve arsimore dhe zotëron një rrjet të gjerë arsimor që u shërben mbi 75 mijë nxënësve dhe studentëve. Universiteti i New Yorkut në Tiranë është universiteti i parë në kuadër të fondacionit tonë. Universiteti ynë, ceremonia e diplomimit të të cilit zhvillohet sot përbën një pjesë të rëndësishme të këtij rrjeti global arsimor", theksoi Demirli.
Demirli u shpreh se kur tradita e konsoliduar arsimore e Shqipërisë bashkohet me përvojën e fuqishme të Turqisë në fushën e arsimit dhe me standardet e arsimit të lartë, krijohet jo vetëm një universitet, por sipas tij edhe një model akademik që shërben si shembull në nivel rajonal dhe global.
Foto : Olsi Shehu/AA
Rektori në detyrë i UNYT-së, Prof. Asoc Ilir Kalemaj, në fjalën e tij u shpreh se UNYT gjithmonë ka qenë krenar që është një vend ku standardet globale të arsimit takohen me historinë e pasur dhe të ardhmen dinamike të Ballkanit.
"Udhëtimi ynë së bashku në Universitetin e New Yorkut në Tiranë nën krahët vizionarë të Fondacionit Turk Maarif ka qenë thjesht historik. Ne nisëm të lidhim kontinente, kultura dhe ambicie. Duke ju parë sot, mund të them me besim se mision është kryer", tha Kalemaj.
Universiteti i New Yorkut në Tiranë është universiteti i parë privat në Shqipëri dhe administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.