Fatjon Cuka
31 tetor 2018•Përditësim: 01 nëntor 2018
TIRANË (AA) - Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani, është thirrur përsëri në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me ngjarjet në Greqi, pas vrasjes në Gjirokastër gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë të minoritarit grek, Kostandinos Kaçifa, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani, u thirr sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi, duke nisur nga alarmi për bombë pranë Ambasadës tonë në Athinë, djegia e bizneseve shqiptarë, protesta para ambasadës dhe konsullatës tonë, si dhe djegia e flamurit kombëtar”, thuhet në njoftimin e MEPJ të Shqipërisë.
Sipas njoftimit, ambasadores greke iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke i këtyre akteve “të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve”.
Theksohet se MEPJ nënvizoi gjithashtu nevojën që autoritetet greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi.
Ambasadorja Eleni Surani u thirr edhe dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për ngjarjen e ndodhur në Qarkun Gjirokastrës disa ditë më parë.
Kujtojmë se gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës, më 28 tetor mbeti i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa, i cili ishte banor i minoritetit grek.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në fshatin Bularat, Kaçifa ka qëlluar fillimisht me armë zjarri në ajër e më pas mbi punonjësit e policisë, ndërsa mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.