Sibel Vezaj
09 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Arrestohet deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës thuhet se bazuar në mandatin ligjor që ka në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë, sot në orët e mëngjesit njësitet policore të stacionit policor në Vushtrri kanë ndaluar deputeten Aida Dërguti.
Sipas Policisë, deputetja Dërguti është shoqëruar në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkaq, në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se urdhërarresti për deputeten Dërguti është lëshuar me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.