Sibel Vezaj
02 Mars 2017•Përditësim: 03 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Deputetët e opozitës braktisën seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, si reagim për shtyrjen e vendimit nga gjykata franceze për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të kësaj seance, shefi i grupit parlamentar të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se kjo që sot ndodhi në Colmar të Francës ishte një "rrëmbim për interesat e Serbisë dhe të gjithë atyre që janë në krahun e saj".
“Vendimi i sotëm i një gjykate provinciale në Francë për t’ia vazhduar qëndrimin edhe më tutje atje ish-kryeministrit Haradinaj tani po shihet qartazi se është abuzim me të drejtat e njeriut, shkelje e tyre, tendencë për ta diskredituar një luftë të mbarë popullit. Ky shtet, ky vend duhet të tregohet shumë më serioz që këto përndjekje që po i bëhen Ramushit (Haradinaj) e Kosovës të marrin fund një herë e përgjithmonë”, tha Lekaj.
Ai po ashtu u shpreh se lirimi i Haradinajt duhet të jetë kërkesë e të gjithëve pa dallime politike, në të kundërtën, kjo sipas tij do të shihej si një kombinim vendor dhe ndërkombëtar për eliminimin politikisht të Haradinajt për sjelljen rreth marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Lekaj së fundi kërkoi ndërprerjen e seancës dhe reflektimin e institucioneve të Kosovës, kurse pas fjalimit të tij, deputetët e opozitës u larguan nga salla.
Ndërkaq, për shtyrjen e vendimit për Haradinajn, reaguan dhe shprehën shqetësimet e tyre edhe deputetët nga radhët e pozitës.
“Grupi parlamentar i PDK-së kërkon po ashtu nga drejtësia dhe institucionet udhëheqëse të Francës, si dhe nga i gjithë faktori relevant ndërkombëtar që të angazhohet për lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. PDK po ashtu vlerëson se kjo është një padrejtësi e madhe e cila po i bëhet jo vetëm Haradinajt, por të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu.
Kurse deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Besa Gaxherri tha se “Me këtë rast edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar me kalvarin dhe padrejtësinë që po bëhet ndaj Ramush Haradinajt dhe Kosovës. Andaj me këtë rast kërkojmë nga drejtësia e Francës drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë."
Në seancën e sotme gjyqësore në Colmar të Francës përsëri është shtyrë vendimi lidhur me lirimin ose ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit UÇK së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë edhe në seancën e 9 shkurtit. Paraprakisht, ai ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 sipas urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.