Admir Fazlagikj
09 Maj 2017•Përditësim: 09 Maj 2017
SHKUP (AA) – Nëntë maji i vitit 2017, shënon dyvjetorin e përleshjes së armatosur në "Lagjen e Trimave" të Kumanovës, në të cilën në dy ditët sa zgjati këmbim zjarri mes policisë së Maqedonisë dhe grupit të armtosur, mbetën të vrarë tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ky incident ndodhi në kulmin e krizës politike e cila në atë kohë kishte përfshirë Maqedoninë dhe akoma më shumë përkeqësoi situatën e përgjithshme në vend.
Tre ditë pas konfliktit të armatosur në Kumanovë, nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare, ministri i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Mile Janakieski, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe kreu i kundërzbulimit, Sasho Mijallkov dhanë dorëheqje nga postet e tyre, me arsyetimin se “shpresojnë që një veprim i tillë do të kontribuojë në stabilizimin e situatës politike në vend”.
Nga shkurti i vitit 2016, në Gjykatën Penale të Shkupit, zhvillohet një seancë gjyqësore kundër 29 personave të cilët ngarkohen për vepra të kryera penale "organizatë terroriste" dhe "terrorizëm", dhe që të gjithë të akuzuarit para trupit të gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë.
Rastit më vonë iu bashkua rasti tjetër "Vetëtima", në të cilin zhvillohet procedurë kundër tetë personave të cilët akuzohen si ndihmës të grupit nga "Lagjja e Trimave", me çka numri i të akuzuarve është rritur në gjithsej 37.
Kumanova dy vite më pas
Dy vite pas ndodhive, Kumanova është e qetë ndërsa edhe qytetarët dërgojnë mesazhe të paqes, duke theksuar se ky qytet ka një traditë shekullore multietnike dhe i tillë do të mbetet gjithmonë.
Ata shpresojnë që kjo të mos përsëritet kurrë sepse siç thonë jeta e përbashkët është në interes të të gjithë qytetarëve të Kumanovës, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare.