Admir Fazlagikj
26 Qershor 2017•Përditësim: 26 Qershor 2017
SHKUP (АА) – Komisari i Bashkimit Evropian për Politike Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim Johannes Hahn sot arriti në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai vizitën e parë e filloi me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, me të cilin sipas paralajmërimeve do të bisedojë rreth planeve për reforma në Qeverinë e re të Maqedonisë, si dhe të përsërisë mbështetjen e Bashkimit Evropian që vendi t’i zbatojë reformat e domosdoshme me qëllim që në të ardhmen të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE).
Pas takimit më Zaevin, eurokomesari bashkë me delegacionin e tij do të takohet edhe me një delegacion të Qeverisë të cilit do t'i prijë kryeministri Zoran Zaev në përbërjen e të cilit do të jenë zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, zëvendëskryeministri për Integrime Europiane, Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Pas mbajtjes së këtij takimi do të mbahet seancë tematike e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e cila do t'i kushtohet prioriteteve për reforma urgjente për integrimin euro-atlantik, e cila do të ndiqet nga afër nga komisioneri Hahn. Pas përfundimit të seancës tematike të Qeverisë, është paraparë një konferencë për media e kryeministrit Zaev dhe komisionerit Hahn.