Figen Shaban
09 Prill 2018•Përditësim: 09 Prill 2018
PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e dhjetë vjetorit të hartimit të Kushtetutës së Kosovës ka uruar qytetarët e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj", tha Haradinaj, bëhet e ditur në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit.
Ai ka thënë se "themelimi i Kushtetutës së vendit është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit tonë shtetëror pas çlirimit të Kosovës, shpalljes së Pavarësisë".
"Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta per secilin, në frymën e pakufizuar demokratike. Dekada e parë e Kushtetutës së vendit, krahas qenësimit tonë si shtet juridik, ka përjetuar edhe sfidat e saj. Këto sfida, na tregojnë edhe vlerat tona demokratike si shoqëri kur ne kemi pranuar këto parime kushtetuese si parime udhëheqëse të Kosovës", thuhet në njoftim.
Sipas Haradinajt, ky bazament ligjor shpërfaq vlerat më të larta të demokracisë kosovare duke nënvizuar se përvjetori i sivjemë, "i shtyllës kryesore ligjore të vendit, e gjen vendin me plot detyra, me punë, me suksese të numëruara, por edhe me sfida dhe më të sigurtë se kurrë për rrugën tonë Euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të".
Kujtojmë se pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës me datën 17 shkurt 2008, më 9 prill në Kuvendin e Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e cila më pas ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.