Figen Shaban
14 Prill 2017•Përditësim: 15 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Këshilli për Siguri i Kosovës pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik njofton se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues. Gjithashtu theksohet se kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues, transmeton Anadolu Agency (AA).
Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës, thuhet në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
"Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës", thuhet në njoftim.
Në njoftim ndër të tjera thuhet se organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë.