Alma Çekovic
02 Shkurt 2017•Përditësim: 02 Shkurt 2017
SARAJEVË (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, arriti për vizitë pune në Bosnje e Hercegovinë gjatë së cilës me zyrtarët e këtij vendi do të diskutojë për bashkëpunimin ndërmjet BeH-së dhe NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg vizitën e tij në Bosnje e Hercegovinë e filloi me takimin me kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës të BeH-së, Mladen Ivaniç, Bakir Izetbegoviç dhe Dragan Çoviç, zhvilluar me dyer të mbyllura.
Pas takimit, Stoltenberg dhe kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Mladen Ivaniç do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Pas vizitës në Presidencën e BeH-së, është planifikuar takimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me anëtarët e Kolegjit të dy dhomave të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, anëtarët e Komisionit të Përbashkët për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Parlamentare, Komisionit për Tregti të Jashtme dhe Politikë Tregtare dhe Doganat, Komisionit të Transportit dhe Komunikimit të Asamblesë Parlamentare të BeH-së dhe me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të BeH në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Stoltenberg do të takojë edhe kryesuesin e Këshillit të Ministrave, Denis Zvizdiç, dhe më pas do të takojë delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të kryesuar nga ministrja e Mbrojtjes, Marina Pendes.