Bekim Laci
17 Maj 2017•Përditësim: 18 Maj 2017
SHKUP (AA) - Mungesa e besimit të ndërsjellë mes Organizatave Joqeveritare (OJQ) dhe sektorit të biznesit nga shkau i mungesës së informacioneve për veprimtarinë e njëra-tjetrës, është problemi kryesor për ngecjen e bashkëpunimit mes tyre, është konstatimi i përgjithshëm në konferencën “Sfidat e bashkëpunimit mes sektorit civil dhe sektorit të biznesit" që po mbahet në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën përmbyllëse Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) dhe Fondacioni për Zhvillim të Arsimit dhe Kulturës, Albiz, kanë prezantuar rezultatet për përmbylljen e një projekti 18 mujor të financuar nga Bashkimi Evropian.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit, Albiz, Ilir Idrizi, në një prononcim për mediat tha se në 18 muajt e kaluar është punuar shumë në mbajtjen e takimeve me sektorin afarist dhe me sektorin e biznesit në qytetet të ndryshme të Maqedonisë, gjë e cila sipas tij ka ndihmuar në formimin e një pasqyre për gjendjen e përgjithshme të këtyre dy sektorëve.
“U mbajtën trajnime nëpër qytetet të ndryshme që ka mundësuar rritjen e vetëdijesimit të OJQ-ve për qasje në sektorin e biznesit. Si pjesë e kësaj ka qenë edhe nënshkrimi i platformës joformale të OJQ-ve për bashkëpunim me sektorin e biznesit, dhe kjo platformë është funksionale dhe numëron 38 anëtarë”, tha Idrizi sipas të cilit e njëjta ka gjetur mbështetjeje edhe në Bashkimin Evropian.
Drejtori Ekzekutiv i OEMVP, Fatmir Bytyqi, tha se sektori i biznesit pret krijimin e një rruge në të cilën OJQ-të e vogla nuk do të ecin mbi shpinën e OJQ-ve të mëdha, por tu krijohet mundësia që të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Bytyqi theksoi se institucioni të cilin e përfaqëson, tashmë ka identifikuar problemet që paraqiten si pengesë për bashkëpunimin e OJQ-ve me biznesin, ku spikat mungesa e besimit të ndërsjellë nga shkau i mungesës së informacionit.
“Kjo nga shkaku se dy palët nuk kanë qenë të informuara rreth punës që ata e bëjnë dhe transparencës së shpenzimit të parave. Mendoj se me këtë projekt kemi arritur të artikulojmë këto dhe tani ka lëvizje pozitive. Ajo që do të ndihmojë është përmirësimi i legjislacionit në fushën e ligjit për donacione dhe sponsorizime që të hiqen disa pengesa administrative të cilat do të lehtësojnë bashkëpunimin e OJQ-ve me sektorin e biznesit”, tha Bytyqi.