Figen Shaban
07 Qershor 2017•Përditësim: 08 Qershor 2017
PRISHTINË (AA) - Organizata jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë organizoi tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017”, në të cilën u diskutuan çështjet e përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Betim Musliu, përfaqësues nga IKD i cili hapi këtë tryezë gjatë fjalimit të tij tha se organizimi i zgjedhjeve në vitet 2013 – 2014 ka shënuar një progres pozitiv duke e ndërruar imazhin e shtetit të Kosovës që nga zgjedhjet e vitit 2010 ku sipas tij "ka patur vjedhje industriale të votave".
Musliu theksoi se procesi i zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2014 me një numër të vogël të incidenteve ka plotësuar standardet "për të cilat Kosova më nuk është një pikë e zezë në raportin e progresit."
Ai po ashtu vuri theksin tek monitoruesit mobil dhe statik të IKD-së, në bashkëpunim me organizatat GLPS dhe “Info” me ndihmën edhe të Ambasadës Amerikane të cilët sipas tij do të jenë të gatshëm për t'i monitoruar aktivitetet e policisë dhe prokurorisë.
Kurse koordinatorja nacionale për zgjedhje nga zyra e Prokurorit të Shtetit, Laura Pula në fjalën e saj bëri të ditur se do të jenë të angazhuar 100 prokurorë në 38 komunat e Kosovës të cilët do të punojnë 24 orë në ditën e zgjedhjeve. Ajo njoftoi se për ndjekjen e veprimeve të ndryshme penale kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, KQZ-në dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se PK është e angazhuar për sigurinë dhe krijimin e klimës të sigurt në kuadër të të gjitha fazave të procesit zgjedhor. Ai theksoi se angazhimi i PK do të jetë në bashkëpunim shumë të ngushtë me sektorët e caktuar të KQZ-së në aspektin e përcjelljes dhe sigurimit të të gjitha transporteve të nevojshme "për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të sigurta."
“Zotohemi që nga aspekti i përkatësive partiake, maksimalisht dhe neutralisht të ofrojmë shërbim elektoratit tonë që ta kenë mundësinë e kryerjes së detyrës ligjore sipas vullnetit të tyre në momentin e votimit dhe do të jemi shumë ngushtë të angazhuar me subjektet e tjera në aspektin e parandalimit dhe hetimit të çfarëdo shkeljeje të mundshme”, tha Rexha.