Figen Shaban
05 Qershor 2017•Përditësim: 06 Qershor 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e 5 Qershorit - Ditës Botërore të Sportit dhe Ambientit, Komiteti Olimpik i Kosovës me ndihmën e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës organizoi aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore në sheshin “Skenderbeu” të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këto aktivitete morën pjesë nxënës nga katër shkollat fillore të Prishtinës. Aktivitetet nisën me valltarët e Shoqërisë Kulturo Artistike "Prishtina" të cilët performuan disa valle popullore, ndërsa më pas nxënësit filluan të garojnë dhe demonstrojnë në sportet si karling, kërcim, kërcim me litar, futboll dhe ping-pong.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në adresimin e tij para nxënësve të pranishëm tha se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar konsideron që sporti duhet të jetë një mjet jashtëzakonisht i mirë për promovimin e “Ditës Botërore të Sportit dhe Ambientit”.
“Në këtë drejtim KON i sugjeron edhe komitetet olimpike kombëtare që të organizojnë aktivitete të ndryshme ku do të përfaqësohen tre dimensionet e kësaj dite pra sporti, kultura por edhe ruajtja e ambientit”, u shpreh Hasani.
Ai po ashtu theksoi se ideja e kësaj dite është që ambienti të jetë i pastër, i shëndetshëm dhe i sigurtë në vende ku zhvillohet sporti. Hasani nënvizoi se me organizimin e këtyre aktiviteteve të sotme do të përpiqen që ta dërgojnë mesazhin se ambienti duhet të ruhet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse sipas tij, aktivitetet sportive duhet të zhvillohen në ambiente të pastra.
Hasani po ashtu i sugjeroi nxënësit që të vazhdojnë të merren dhe të profesionalizohen në sportet të cilat do t'i demonstrojnë së bashku.
Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Komunës së Prishtinës, Besart Vllahinja tha se 5 qershori është një ditë e cila duhet shndërruar në festë. Ai bëri të ditur se pos aktiviteteve sportive nxënësit do ta mbjellin pemën Olimpike dhe do të bëhet edhe pastrimi i hapësirës së sheshit “Skenderbeu”.