Ivana Ramadanova
27 Qershor 2017•Përditësim: 28 Qershor 2017
SHKUP (АА) – Kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Austrisë, gjenerali Otmar Komenda, po qëndron për një vizitë dyditore në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjenerali Komenda bashkë me nikoqirin e tij, kryeshefin e Armatës së Maqedonisë (ARM) gjeneral-nënkolonelin Metodija Veliçkovski, realizuan një takim me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska ku ishte e pranishme edhe ambasadorja austriake renate Koblerr.
Shekerinska nga ana e saj tha se Maqedonia çmon lartë marrëdhëniet dypalëshe sidomos përkrahjen e Austrisë në përballjen me krizën e emigrantëve në kufirin jugor.
"Pikërisht kjo krizë që ka përfshirë Evropën tregoi se rajoni është i një rëndësie të madhe për sigurinë e të gjithë kontinentit", tha Shekerinska në takimin me gjeneralin Otmar Komenda.
Ajo tha më tej se për ministrinë që drejton është e një rëndësie të veçantë të vazhdojë dhe të shtojë bashkëpunimin në sferën e mbrojtjes që parasheh një lidhje të ngushtë mes dy ushtrive.
"Maqedonia ka një vullnet të qartë politik për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal. Rajoni është i pjekur edhe pse ka dallime. Ne e kuptojmë se prosperiteti i të gjithë neve varet nga bashkëpuni i ndërsjellë", përfundoi Shekerinska.
Në këtë drejtim, gjenerali Komenda tha se nga zhvillimi negativ i krizës së migrantëve, mund të nxirret rezultat pozitiv në aspektin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit dhe Evropës.
Gjenerali shtoi se armatat e të dyja vendeve gjithmonë janë të gatshme për bashkëpunim të afërt, dhe se e vetmja gjë që nevojitet është mbështetja politike, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë.
Duke përshëndetur gatishmërinë për lidhje të afërta, ministrja Shekerinska theksoi edhe nevojën për ndihmë dhe mbështetje për institucionet tjera nga menaxhmenti i krizave, spektri i të cilit përfshinë edhe përballjen me kriza të fatkeqësive të mëdha natyrore, në krijimin e një lloji zhvillimor evropian të menaxhmentit të krizave, që u pranua nga gjenerali Komenda si aspekt pozitiv i avancimit të bashkëpunimit.
“Austria ka sistem zhvillimor të menaxhmentit të krizave në nivel lokal dhe ne jemi të gatshëm për shkëmbim të njohurive dhe përvojave me Maqedoninë në këtë sferë”, tha ai.
Nga Ministria e Mbrojtjes njoftuan se në kuadër të ditës së dytë të vizitës, nesër do të vijojnë bisedime zyrtare mes delegacioneve të Shtatmadhorisë së Austrisë dhe Shtatmadhorisë së ARM-së.