Fatjon Cuka
18 Shkurt 2017•Përditësim: 18 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ka filluar protesta e partive opozitare, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit e ardhur pothuajse nga të gjitha qytetit e vendit janë mbledhur në sheshin "Dëshmorët e Kombit", përballë godinës së Këshillit të Ministrave.
Gjatë protestës që mbahet me sloganin "kundër padrejtësisë, kundër keqqeverisjes, kundër varfërisë", do të mbajë një fjalim kryetari i opozitës, njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kreu i opozitës, një ditë para protestës në një deklaratë u shpreh se "Protesta është bashkimi më i madh i qytetarëve kundër padrejtësisë, kundër keqqeverisjes, kundër varfërisë, ku do të marrin pjesë të gjithë qytetarët, të rinj, pensionistë, familjarë, studentë, gjimnazistë dhe intelektualë, njerëz të artit, kulturës e sportit, të papunë e sipërmarrës, fermerë dhe punëtorë".
Organizatorët e protestës pritet të vendosin nëse do të jetë një protestë maratonë, apo do të përfundojë rreth orës 16:00.
Nga ana tjetër policia ka marrë disa masa për të garantuar rendin gjatë dhe pas përfundimit të protestës, ku janë angazhuar rreth 2000 forca policore.