Fatjon Cuka
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, kanë reaguar në lidhje me vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviç, duke dënuar vrasjen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Meta shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç.
"Presidenti Meta shpreh gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe do të vënë përpara drejtësisë autorët. Meta bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë ", theksohet në njoftim.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një mesazh publikuar në rrjetet sociale shkruan, "Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviçit. Akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen nuk duhen ndalur, duhen thelluar".
Kujtojmë se Ivanoviç u vra sot me armë para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.