Stipe Mayiç
11 Shtator 2017•Përditësim: 12 Shtator 2017
ZAGREB (AA) - Përfaqësuesja e Pavarur të Pakicave Kombëtare Ermina Lekaj Prljaskaj priti në Parlamentin Kroat ministrin e Diasporës të Republikës së Maqedonisë Edmond Ademi dhe delegacionin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Ademi është ministri i parë i Maqedonisë për Diasporën, i emëruar më 1 qershor të këtij viti, kurse vizita e tij njëherësh është vizita e parë e një ministri të qeverisë së re të Maqedonisë në Kroaci.
Në një prezantim të shkurtër, përfaqësuesja Lekaj Prljaskaj theksoi përkushtimin ndaj të gjitha pakicave kombëtare të cilat i përfaqëson dhe falënderoi ministrin e Maqedonisë për interesimin e tij për të vizituar Kroacinë, thuhet në njoftimin e Parlamentit.
Lekaj Prljaskaj, e cila përfaqëson minoritetet shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene në parlament, theskoi se homologut të Maqedonisë i qëndron në dispozicion për çdo lloj ndihme dhe shkëmbim eksperience.
"Zgjodha Kroacinë për vizitën time të parë zyrtare para së gjithash se aty jetojnë dhe punojnë një numër i maqedonasve dhe shqiptarëve me origjinë nga Maqedonia dhe se nga Kroacia mund të mësojmë shumë për kujdesin e pakicave kombëtare", ka thënë Ademi.
Ministri Ademi theksoi se Kroacia shërben si shembull i një vendi që ka rregulluar me precizitet marrëdhëniet me pakicat kombëtare dhe diasporën, thuhet në deklaratën zyrtare.
Në paraqitjen e tij, Ademi theksoi se Qeveria e Maqedonisë po përgatit një Strategji kombëtare për marrëdhëniet me diasporën dhe se modeli kroat do të shërbejë në hartimin e kornizës legjislative si dhe në zbatimin e saj.
Gjithashtu u njoftua se është diskutuar edhe për fushat e tjera ku ka hapësirë për përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve, për shembull në rregullimin e disa çështjeve në fushën e kujdesit shëndetësor, me përdorimin e kuotës për punësimin e të huajve në Kroaci dhe bashkëpunimin kulturor.
Ministri Ademi dhe delegacioni i tij do të takohen gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Zyrës Qendrore për kroatët që jetojnë jashtë Kroacisë, Zvonko Milas dhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare maqedonase dhe shqiptare në Kroaci.