PRISHTINË (AA) - Figen Shaban
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, Instituti Yunus Emre që nga themelimi në vitin 2011, ofron kurse të gjuhës turke për kosovarët. Përveç kursit të turqishtës në këtë institut, kosovarët të cilët kanë mundësinë të njihen edhe me historinë, kulturën, letërsinë dhe artin turk, thonë se në këtë ambient ndihen si në Turqi.
Ndjekësit e kursit thonë se dëshirojnë ta mësojnë turqishten për t'i realizuar ëndrrat e tyre në profesionet të cilat do t'i ushtrojnë në të ardhmen, ndërsa disa nga ta theksojnë se dashuria e madhe për Turqinë i ka shtyrë ta mësojnë turqishten, pasi e veçojnë atë nga çdo gjuhë tjetër në botë.
Njëra nga nxënëset e kursit të turqishtes në këtë institut është edhe 18-vjeçarja nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, Luiza Namligjiu.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Luiza thotë se rrugëtimi i saj për ta mësuar gjuhën turke ka filluar para një viti përmes nënës së saj e cila e ka drejtuar atë në Institutin Yunus Emre.
Si një studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Luiza thotë se ëndërron që një ditë të bëhet diplomate. Ajo tregon se e ka mësuar gjuhën angleze dhe frënge më herët ndërsa ka menduar se duhet të fillojë ta mësojë edhe tuqishten sa më parë për t'u bërë një diplomate e suksesshme në të ardhmen.

Duke filluar ta mësojë gjuhën nga serialet e ndryshme turke që transmetohen edhe në Kosovë, Luiza kishte vendosur që ta mësojë turqishten në mënyrë më të përsosur në këtë institut.
Sa i përket vështirësive gjatë mësimit të gjuhës turke, Luiza në fillim ka hasur në vështirësi gjatë mësimit të gramatikës, por tani thotë se e kupton fare lehtë edhe gramatikën e kësaj gjuhe.
Sipas saj, fjala më interesante në gjuhën turke është fjala “türlü türlü" (lloj-lloj), për të cilën thotë se tingëllon shumë ëmbël, ndërsa tregon edhe thënien që e ka mësuar ditë më parë e që ndërlidhet me ditët e ftohta të stinës së dimrit. “Një fjalë e ëmbël mund t'i ngrohë tre muajt e dimrit" (Bir tatlı söz kışın üç ayını ısıtabilir) është thënia që i ka pëlqyer asaj shumë.
Ajo tregon se Instituti Yunus Emre ka plotësuar ëndrrën e saj për ta vizituar Turqinë. Vizitën e parë në Turqi Luiza e kujton me buzëqeshje, duke shpjeguar se ka qenë një ditë e veçantë kur ka marrë lajmin nga mësuesi i saj në IYE për të aplikuar në “Shkollën Verore Turke” vitin e kaluar.
“Më 23 korrik me aeroplan shkova në Stamboll. Kisha shumë emocione sepse ishte vizita ime e parë në Turqi. Kjo ishte dëshira ime e madhe dhe isha si në ëndërr, sepse e dua shumë Turqinë. Pra, kështu u realizua një ëndërr e imja”, shprehet Luiza.
Ajo thotë se gjatë shkollës verore turke ka vizituar qytetet e ndryshme të Turqisë, si Giresun, Trabzon, Rize, Ordu, Bolu, Ankara dhe Stamboll. Qyteti në pjesën e Detit të Zi të Turqisë, Giresun, ka qenë vendi ku ka kaluar kohën më të madhe, për të cilin thotë se është një qytet i vogël por shumë i bukur.
Ndërkaq, vizita në Stamboll e ka magjepsur Luizën me të gjitha bukuritë që i ka e që sipas saj janë Bosfori, Ishulli Buyukada, Xhamia “Sulltanahmet” dhe Pallati Topkapı. Ajo thotë se ka takuar të rinj nga Franca, Shqipëria, Gjeorgjia, Jordania dhe nga shtetet e ndryshme të botës, me të cilët është shoqëruar dhe ka shëtitur të gjitha pjesët e ishullit Buyukada me biçikletë.

“Stambolli është një qytet shumë i bukur dhe tepër i madh. Në Stamboll u njoha me kulturën, muzikën, me njerëz të ndryshëm të cilët vinin dhe e vizitonin këtë qytet nga shtetet e ndryshme të botës. Pastaj vizitova edhe vendet historike, sepse më pëlqen historia. Kam njohuri edhe për Shtetin Osman, për këtë arsye kisha rastin ta njoh historinë turke nga afër”, thotë ajo.
Edhe Fatijona Stolliqi nga Prizreni, e cila është studente e Gjuhës dhe Letërsisë Turke (Turkologjisë) në Universitetin e Prishtinës, thotë se për kursin e gjuhës turke në IYE ka dëgjuar nga profesorët e saj në fakultet. Duke theksuar se në Prizren të gjithë e flasin turqishten, Fatijona thotë se e ndien veten si në Turqi kur vjen në këtë kurs.
“Gjuha turke ka një kuptim të veçantë për mua. Pra, është gjuhë e veçantë. Nuk është anglishtja, gjermanishtja apo gjuha italiane, por është gjuha turke ajo që ka një kuptim të veçantë për mua”, thotë ajo.
Fatijona flet edhe për ndjenjat e veçanta që i ka për Turqinë, duke thënë: “Edhe unë e dua shumë Turqinë sikur të gjithë. Për këtë arsye vendosa ta mësoj gjuhën turke”.
Ajo thotë se gjuha turke është e pasur me fjalë të urta, duke vënë në dukje se i ka dëgjuar shumicën edhe në gjuhën shqipe nga të moshuarit e familjës së saj.
“Fjala e urtë që më pëlqen është 'Punën e sotme mos e lë për nesër'. Këtë e përdorim edhe ne shqiptarët në Kosovë. Na ka mbetur nga më të moshuarit tanë”, u shpreh ajo.