Besar Ademi
11 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
SHKUP (AA) – Koalicioni i të drejtave seksuale dhe shëndetësore i bashkësive të margjinalizuara në Maqedoni, prezantoi hulumtimin e titulluar “Sa janë të barabartë dhe të sigurtë të rinjtë në Maqedoni në zhvillimin e tyre seksual dhe në përvojat seksuale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e këtij hulumtimi, kryesisht i mbështetur mbi sjelljet seksuale, interesat dhe mbrojtjen e të rinjve (të moshës 15 vjeçare), janë marrë me pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të Maqedonisë në hulumtimin HBSCM. HBSCM është hulumtim ndërkombëtar mbi shëndetin e fëmijëve të moshës shkollore (11 vjeç,13 vjeç dhe 15 vjeç), i cili zhvillohet çdo katër vjet në 44 vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.
Hulumtimi thotë se në Maqedoni 36 përqind e të rinjve meshkuj të moshës 15 vjeçare kanë patur marrëdhënie seksuale, ndërsa të gjinisë femrore 3 përqind kanë pasur marrëdhënie seksuale. Në hulumtim theksohet se në vendet evropiane, 24 përqind e të rinjtë meshkuj të moshës 15 vjeçare kanë pasur marrëdhënie seksuale, ndërsa të gjinisë femrore 17 përqind kanë pasur marrëdhënie seksuale.
Drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të të drejtave seksuale dhe shëndetësore të bashkësive të margjinalizuara, Irena Cvetkoviq, theksoi se hapja e një debati publik mbi këto çështje është hap i parë dhe i rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së të rinjve në Maqedoni.
“Përvoja jonë në këto çështje tregon se në arsimin e Maqedonisë nevojiten reforma sistemike, që të dimë nga të fillojmë. Prandaj vendosëm të investojmë në një hulumtim të këtillë, që do të na ndihmojë në kthimin e përgjigjes se sa të rinjtë tanë janë të sigurtë dhe të barabartë në procesin e arsimit që e kalojnë në periudhën vendimtare për zhvillimin e tyre personal dhe individual”, u shpreh Cvetkoviq.
Hulumtimi u prezantua nga hulumtuesja kryesore mbi barazinë e temave të seksualitetit në arsim, Lina Kostarova-Unkovska, e cila theksoi se këto rezultate tregojnë se çështja e temave të seksualitetit është një sfidë e madhe për arsimin në Maqedoni.
“Ne patjetër duhet të fillojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë temë, e cila në mjediset tjera tashmë është punë e kryer. Nuk mund të ndërtojmë fakte me ndonjë imazh stereotip dhe të paragjykimeve, sepse ajo na drejton në rrugë pa dalje dhe në asnjë mënyrë nuk e ndihmon zhvillimin e të rinjve në Maqedoni”, tha Kostarova-Unkovska.
Sipas hulumtuesve, qëndrimi i anashkaluar i arsimit në Maqedoni ndaj temave të seksualitetit, ka rrezik të lartë si në shëndetin seksual dhe reprodukiv të të rinjve, ashtu edhe në shëndetin e tyre psiqik, emocional dhe social.
Hulumtuesit konsiderojnë se arsimi duhet të jetë katalizator kryesor në thyerjen e tabusë për shkarkimin e maskave dhe vendosjen e këtyre çështjeve në nivel të barabartë në mesin e prioriteve për shëndet më të mirë.