Figen Shaban
07 Gusht 2017•Përditësim: 07 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me kompaninë Coca-Cola HBC në Kosovë ka inauguruar Eko-parkun “E të martuarve”, të parin të këtij lloji në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në hyrjen kryesore të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kurorëzoi martesën e një çifti të kryeqytetit me një ceremoni solemne në këtë eko-park unik ku të sapo të martuarit në Komunën e Prishtinës do të inkurajohen të mbjellin një pemë në këtë zonë. Pas ceremonisë së kurorëzimit, çiftet e sapomartuar mbjellën pemët e tyre si shenjë e dashurisë për njëri-tjetrin dhe qytetin në të cilin jetojnë.
Shpend Ahmeti gjatë fjalës së tij tha se parku ka kapacitet për mbjelljen e 160 pemëve, për çiftet që dëshirojnë ta mbjellin pemën e tyre. Ahmeti theksoi se ky park do ta ketë një ndriçim të veçantë i cili do të shihet mjaft mirë edhe me pamje nga dronët apo nga lartësia. “Njerëzit kur martohen kanë dëshirë që të lënë shenjë të martesës së tyre, qoftë me lokacionin se ku ata martohen. Kësaj radhe ne ju ofrojmë një rast të ri që këtë shenjë ta lënë për të mirën e kryeqytetit duke e rritur gjelbërimin”, tha Ahmeti.
Drejtori i Coca-Cola HBC Kosova. Neritan Tira, gjatë fjalimit të tij theksoi se qëllimi kryesor i këtij projekti është që me anë të projekteve të tilla, të mbështetura nga kompania që ai përfaqëson të krijojnë një impakt dhe zgjidhje afatgjatë në përmirësimin e ambientit dhe uljen e ndotjes së ajrit në komunitetet ku operojnë.
“Duke udhëhequr këtë nismë në vend dhe rajon, kemi për synim të jemi shembull jo vetëm për komunat dhe vendet e tjera, por për qytetarët drejtpërdrejt – ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e të gjithë neve. Inkurajoj qytetarët të kujdesen për parkun, në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit edhe për shumë vite duke ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit”, tha Nerita Tira.
Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie theksoi se shumë kompani amerikane mbështesin aktivitetet e të rinjve që kanë të bëjnë me mjedisin duke inkurajuar edhe bizneset në Kosovë që të mbështesin këto aktivitete.
Ndërsa, çifti i kurorëzuar në “Eko-parkun e të martuarve” Herolin Hyseni dhe Saranda Gashi, theksuan se ideja e Komunës së Prishtinës është një ide shumë e qëlluar dhe duhet të zgjerohet në të gjitha komunat e Kosovës.
“U jam shumë mirënjohës dhe falënderues komunës së Prishtinës e cila na mundësojë ku përveç procedurës së kurorëzimit ta bëjmë edhe mbjelljen e kë tij druri si simbol i dashurisë. Përveç simbolikës që do ta ketë tani e tutje kjo pemë do të ndihmojë gjithashtu edhe për qytetin në zgjerimin e hapësirave të gjelbërta”, u shpreh Hyseni.