Fatjon Cuka
25 Gusht 2017•Përditësim: 26 Gusht 2017
TIRANË (AA) - Policia e Shqipërisë nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë skanimit të tre pakove të një kompanie postare janë konstatuar dhe sekuestruar pjesë armësh luftarake, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia ka konfirmuar se kontrolli në fjalë ka ardhur në kuadër të masave të shtuara antiterror.
"Në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, gjatë skanimit të tre pakove postare tranzit janë konstatuar pjesë armësh luftarake. Policia e Shtetit dhe organet ligjzbatuese vijojnë zbatimin e një plani të detajuar masash", theksohet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë të publikuar sot.
Kujtojmë se Policia e Shqipërisë ka marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike dhe kufirit, konkretisht "pas kërcënimeve për sulme në Evropë".
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, konfirmoi dje se do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentë në terren dhe do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, në qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, trupit diplomatik, etj.