Figen Shaban
13 mars 2018•Përditësim: 13 mars 2018
PRISHTINË (AA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologun e tij nga Sllovenia, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Karl Erjavec, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit ata mbajtën konferencë të përbashkët për media. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm slloven, Erjavec tha se ndodhet në Kosovë me një delegacion të fuqishëm të biznesit ku janë të pranishme mbi 40 kompani nga Sllovenia. Duke e krahasuar bashkëpunimin ekonomik në mes viteve 2016 – 2017, Erjavec tha se ky bashkëpunim në mes Sllovenisë dhe Kosovës është rritur për 9 për qind.
Ndërkohë sa i përket marrëdhënieve politike, ai tha se dy shtetet nuk kanë çështje të hapura dhe Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në integrimet euroatlantike. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mbështetjen që Sllovenia është duke e dhënë për njohjen e Kosovës edhe nga pesë shtetet e tjera të BE-së siç janë Sllovakia, Spanja, Rumania, Greqia dhe Qiproja, Erjavec potencoi se Sllovenia nuk e ndërron qëndrimin e saj në mbështetje të Kosovës.
Sipas tij, këto pesë shtetet e BE-së kanë dinamikat e brendshme dhe është e vështirë të ndryshojmë qëndrimet e tyre.
Lidhur me dialogun Prishtinë - Beograd ai theksoi se është i nevojshëm rrugëtimi i duhur i të dyja vendeve që të arrijnë në BE. Sipas tij, bashkëpunimi në kuadër të rajonit kundër krizave globale si ajo e Ukrainës, Sirisë dhe Libisë duhet të krijojë një hapësirë stabiliteti në Ballkan me qëllim që rajoni të jetë stabil dhe i integruar.
“Edhe ne në Slloveni jemi duke i zbatuar reformat evropiane por kërkohen reforma të ndryshme për një bazament të mirë të zhvillimit. Sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Sllovenia është një mbështetëse e fuqishme që të arrihet edhe një marrëveshje në parlamentit tuaj. Liberalizimi i vizave është edhe në interesin e biznesit slloven”, tha Erjavec.
Ai tha se Sllovenia ka potencial dhe dëshiron që të investojë në Kosovë duke përmendur edhe kompaninë IPKO si investimi më i madh slloven me 320 milionë euro dhe 650 të punësuar. Erjavec shtoi se gjatë takimit të parë në kuadër të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Kosovë – Slloveni do të intensifikojnë marrëdhëniet edhe në fushën e bujqësisë dhe industrisë ushqimore me ndihmat e ministrive përkatëse.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli tha se Sllovenia është duke dhënë kontribut të madh sa i përket shtetndërtimit të Kosovës. Ai u shpreh se bashkëpunimi politik por edhe ai ekonomik do të vazhdojë siç ndodhë me forumin e sotëm ekonomik të përbashkët në Prishtinë.
Sipas tij, që nga paslufta Sllovenia ka qenë në vendin e parë sa i përket investimeve të mëdha në Kosovë duke nënvizuar vëllimin ekonomik në mes dy shteteve që është mbi 120 milionë euro.
Pacolli theksoi se me Erjavec kanë biseduar edhe për vështirësitë që ka Kosova në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike. Ai shtoi se ka marrë mbështetjen e homologut të tij slloven sidomos në çështjet e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare ku Kosova nuk ka qasje.
“Sot kemi marrë mbështetjen e fuqishme ose dëshmitë se Sllovenia do të na mbështet në integrimet e rëndësishme siç janë INTERPOL-i dhe UNESCO. Sllovenia si anëtare e Këshillit ekzekutiv të UNESCO-s do të jetë pak a shumë si kujdestare edhe e Kosovës”, tha Pacolli.
Në lidhje me datën e seancës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Pacolli tha se seanca do të mbahet në javën e dytë të këtij muaji.
Ndërkohë, pas konferencës u mbajt edhe ceremonia e nënshkrimit të protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Kosovë – Slloveni, e cila vjen si rezultat i Forumit Ekonomik Kosovë – Slloveni ku kanë marrë pjesë afër 40 kompani sllovene të sektorëve të ndryshëm.