Admir Fazlagikj
21 Nëntor 2018•Përditësim: 21 Nëntor 2018
SHKUP (АА) – Gjykata Themelore Shkupi 1 i caktoi 30 ditë paraburgim ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, i cili sonte u prangos dhe dërgua në burgun hetimor në Shuto Orizare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga Gjykata informojnë se Mijallkov është paraburgosur me kërkesë të Prokuroisë për ndjekje të veprave penale të lidhura dhe që dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve (PPS) për shkak të rrezikut nga arratisja, ndërsa gjykatësja e procedurës paraprake sot pasdite i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditë.
Masa e paraburgimit i është caktuar Mijallkovit për lëndën “Fortesa-Target”, ku ai është i akuzuari i parë për përgjimin ilegal në Maqedoni.
Përveç lëndës “Fortesa-Target”, ish shefi i DSK-së akuzohet edhe në disa raste të PPS-së, si “Thesari”, “Tortura” dhe “Titanik 2”.
Hetimi për lëndën “Fortesa” është hapur më 29 mars të vitit 2016, ndërsa për lëndën “Target” më 17 nëntor të vitit 2016. Për shkak të lidhshmërisë së tyre janë bashkuar në një lëndë.
Në lëndën akuzohen edhe ish-kryeshefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK Nikolla Boshkovski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski.
Siç qëndron në aktin e aktakuzës, mbi tre sisteme për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilat nuk janë dhënë urdhëra gjyqësore.