Figen Shaban
17 Gusht 2017•Përditësim: 18 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe delegacioni i tij prej tre zyrtarësh nga UEFA, ishte në Kosovë për një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo është vizita e parë e presidentit të UEFA-s në rajon prej kur është zgjedhur president, i cili ka merita në pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA sa ishte kryetar i FF të Sllovenisë.
Pas arritjes në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, Çeferin vizitoi FFK-në ku pas vizitës në FFK u takua edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Çeferin së bashku me delegacion shikoi nga afër edhe punimet për rikonstruksionin e stadiumit të qytetit të Prishtinës.

Ndërsa, ai para se të largohej nga Kosova, i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, mbajti edhe një konferencë për media. Vokrri gjatë konferencës falënderoi Çeferin për vizitën dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për FFK-në duke theksuar se Çeferin ka qenë ndër të parët që ka pranuar delegacionin nga Kosova në vizitë sa ishte presidenti i FF të Sllovenisë.
Ndërsa, Aleksander Çeferin gjatë fjalës së tij theksoi se do të dërgojnë ekipet nga UEFA për ta shikuar çështjen e infrastrukturës dhe ku mund të ndihmojnë qoftë financiarisht apo edhe me ekspertët. “UEFA do të ju ndihmoj sa më shumë që të mundet. Kryesisht duhet të ju ndihmojmë në infrastrukturë, sepse infrastruktura nuk është e mjaftueshme në këtë moment”, tha Çeferin.
“Sa i përket infrastrukturës ne e kemi një program në UEFA që quhet 'hat trick' ku UEFA ka ndarë shumën e njëjtë të ndihmës financiare për secilin asocioacion të futbollit. Kjo është një shumë e madhe për Kosovën dhe për Slloveninë, por e njëjta shumë për Gjermaninë nuk do të ishte një shumë e madhe. Normalisht federata duhet ta dëshmoj se ku do të shkojë financimi dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë në këtë drejtim”, u shpreh Çeferin.
Sa i përket pyetjes nëse do e kishte përkrahur UEFA ndonjë lige rajonale, Çeferin tha se në këtë moment situata e sigurisë dhe ajo politike nuk është e përshtatshme për të zhvilluar ndonjë ligë të tillë, duke theksuar se në qoftë se bëhet një ligë rajonale dhe merren ekipet më të mira "atëherë krijohen probleme të tjera të cilat e dëmtojnë ligën vendore dhe ndoshta edhe futbollin me këtë."
Ndryshe, në maj të vitit të kaluar, Kosova është bërë anëtare e UEFA-s.