Fatjon Cuka
18 Janar 2019•Përditësim: 18 Janar 2019
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e kryeministrit të vendit, Edi Rama, edhe në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, ka njoftuar se presidenti Meta ka vendosur me dekret që Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, të shkarkohet nga kjo detyrë dhe në këtë post të emërohet kryeministri Edi Rama.
“Emërimi i kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në shqyrtimin e këtij propozimi presidenti i Republikës së Shqipërisë, në cilësinë e kreut të shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare", thuhet në njoftim.
Meta refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakaj, për ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, duke renditur disa arsye pse ka refuzuar dekretimin e tij, ndërsa dekretoi ndryshimet e tjera të kabinetit qeveritar, ndryshime që u miratuan edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas presidentit Meta, Cakaj nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministrat e rinj pasi u betuan më 17 janar në Presidencën e Shqipërisë, kanë filluar zyrtarisht detyrën, ndërsa dekretet për shkarkimin e ministrit Bushati dhe emërimin e kryeministrit Rama në krye të diplomacisë duhet të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.