Sibel Vezaj
02 Qershor 2017•Përditësim: 03 Qershor 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, në Lubjanë, ku "janë konfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet këtyre dy vendeve", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidenti i Kosovës Thaçi ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pjesë në Samitin Brdo-Brione të vendeve të Ballkanit që do të mbahet më 3 qershor në Brdo.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohjet e tij për presidentin Pahor dhe presidenten e Kroacisë, Grabar-Kitaroviç, si bashkë organizatorë të Samitit Brdo-Brione, që mbledh bashkë krerët e shteteve të Ballkanit në një moment të rëndësishëm për rajonin.
“Samiti vjen në kohën kur në shtetet e Ballkanit shohim artikulim më të qartë të aspiratës euro-atlantike dhe gatishmëri për të lëvizur me hapa konkretë drejt BE-së”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, takimi Brdo-Brione është një nismë nga presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor dhe nga presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik të rajonit të Ballkanit dhe BE-së.
Përveç liderit slloven dhe kroat është paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, presidentit malezez Filip Vujanoviq, presidentit maqedonas Gjorge Ivanov, presidentit shqiptar Bujar Nishani, si dhe anëtarit të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Dragan Çoviq.