Figen Shaban
12 Prill 2017•Përditësim: 13 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u hap ekspozita "Zërat e Kosovës në Manchester" në bashkëpunim të organizatës joqeveritare “Ndihma e Manchesterit për Kosovën” (Manchester Aid to Kosovo - MAK) dhe Biblotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ekspozitë janë shfaqur portretet dhe rrëfimet e refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të cilët janë shpërngulur gjatë luftës në vitin 1999 në Britaninë e Madhe.
Në fjalën hyrëse të kësaj ekspozite, drejtoresha e MAK-ut, Pamela Dawes tha se materiali i cili i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare përbëhet nga 30 incizime nga tregimet e njerëzve. Ajo theksoi se këto incizime veçanërisht janë rrëfime nga përjetimet e tyre gjatë luftës, të grupmoshave të ndryshme duke filluar nga 17 vjeç deri në 70 vjeç gjatë periudhës kohore 1998-2015.
“Ne po i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare një incizim prej 18 orësh. Të gjitha këto rrëfime janë të transkriptuara ku ata tregojnë historitë e tyre”, tha Dawes.
Dawes po ashtu njoftoi se një grup prej 20 njerëzve nga MAK i kanë ndihmuar refugjatët kosovarë në Manchester por disa prej tyre janë në Kosovë për t'u ndihmuar personave të cilët janë kthyer në Kosovë.
Ndërsa, Fazli Blakqori, anëtar i organizatës MAK i cili është shpërngulur në Manchester pas luftës në Kosovë për studime postdiplomike dhe i është bashkangjitur kësaj organizate, tha se: “Ishin 30 njerëz që u intervistuan për këtë projekt. 15 prej të cilët jetojnë në Manchester, që kryesisht u evaukuuan në vitin 1999. Disa prej tyre kanë arritur më vonë në Manchester ndërsa njëri prej tyre jam edhe unë. 10 persona të cilët i janë përgjigjur nevojave të tyre nga anëtarët e MAK-ut duke e përfshirë edhe Pamelën ishin kirurgë ushtarakë në armatën britanike, mësues dhe gazetarë”.
Pamela Dawes po ashtu tha se kjo ekspozitë është paraqitur edhe në Muzeun e historisë së popullit në Manchester në vitin 2016. Ajo theksoi se gratë nga komuna e Podujevës (qytet në pjesën veri-lindore të Kosovës) po ashtu kanë kontribuar duke u dhuruar 240 zogjë që simbolizojnë refugjatët, e që secili prej zogjve ka një mesazh, fjalë, apo emrat e familjarëve të humbur gjatë luftës.
"Ne kemi vendosur që të bashkëpunojmë me disa departamente të psikiatrisë në Prishtinë dhe Podujevë, sepse ne besojmë se puna në zhvillimin e historisë së tyre duhet të përfshijë edhe terapinë", tha Dawes.
Ajo shtoi se kanë ende shumë projekte të tubuara dhe një prej tyre është ndërtimi i "Parkut të Paqes" në Podujevë, ku do të organizohen kampe të ndryshme verore, gara atletike dhe të vrapimit.