Sibel Vezaj
27 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në SHBA-ve është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se gjatë këtij takimi presidenti Thaçi ka falënderuar sekretarin Pompeo për mbështetjen e administratës Trump për Kosovën dhe për mbështetjen historike që populli amerikan i ka dhënë popullit të Kosovës.
“Kam shprehur konsideratën më të lartë në emrin tim dhe të popullit të Kosovës, për çdo gjë që SHBA-ja ka bërë për lirinë e popullit tonë dhe paqen në rajon. Përjetësisht do të jemi mirënjohës”, ka thënë pas takimit presidenti Thaçi.
Presidenca njofton se në këtë takim është biseduar edhe për mandatin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si një forcë shumetnike dhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Me këtë rast Thaçi ka falënderuar sekretarin Pompeo për mbështetjen që i ka dhënë procesit të transformimit të FSK-së në forcë të armatosur.
“Kosova si shtet sovran ka të drejtë sovrane dhe detyrim që t’i ngrisë kapacitetet e sigurisë. Tani është koha që nga konsumues të bëhemi kontribuues të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka shtuar ai.
Thaçi dhe Pompeo, po ashtu, kanë biseduar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “SHBA-të mbështet Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, ka thënë presidenti Thaçi.
Mbështetja e SHBA-ve, sipas presidentit Thaçi, është përcaktues për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe krijimin e një konsensusi më të madh brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ishte konkludim i përbashkët se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë momentum historik, ne rrezikojmë të hyjmë në një cikël të rrezikshëm jo vetëm si Kosovë, por edhe si rajon. Prandaj, mënyra e vetme për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e Ballkanit është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, Sekretari Pompeo, ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesë Kosovën, me theks të veçantë “arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Thaçi në kuadër të vizitës së tij në SHBA-të do të vazhdojë të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Washington.