Haris Sulejman
01 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
SHKUP (AA) – Një grup studentësh, të organizuar përmes rrjetit social Facebook nën moton “Jo për Platformën e Tiranës”, sot protestuan para konviktit studentor Kuzman J. Pitu në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 50 studentë u mblodhën para konviktit duke protestuar kryesisht kundër dygjuhësisë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, ndërsa disa të tjerë në konviktit studentor Kuzman J. Pitu, nxorën flamujt e Maqedonisë nëpër dritaret dhe ballkonet e internatit.
“Qëndrimi ynë është i qartë, duam të jetojmë në një Maqedoni unitare dhe sovrane. Duam që në Maqedoni të vlerësohet kualiteti i njeriut dhe dituria e tij, ndërsa ardhmëria të mos zgjidhet në bazë etnike dhe nëpërmjet kërcënimeve. Ne studentët nuk pranojmë asnjë lloj kërcënimi. Ne jemi kundër dygjuhësisë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë”, tha Risto Kolev në emër të studentëve të cilët protestuan para konviktit.
“Gjuha shqipe nuk guxon të jetë kusht për punësimin tonë në të ardhmen në gjitha institucionet, nivelet dhe komunat. Ne të rinjtë duam Maqedoni unitare ku individi do të jetë prioritet, e jo të drejtat etnike”, ka vazhduar Kolev më tej në deklaratën e tij.
Grupi “Studentët për Maqedoninë” në faqen e sapohapur të tyre në Facebook, janë paraqitur si një iniciativë e pavarur studentore jopartiake e cila bën përpjekje për Maqedoni unitare dhe sovrane dhe e cila është kundër platformës, siç thonë ata, të Tiranës.