Admir Fazlagikj
27 Qershor 2017•Përditësim: 28 Qershor 2017
SHKUP (АА) - Banorët e ndërtesave që gjenden në rrugën “Bosnjë e Hercegovinë” në lagjen Butel të Shkupit, u mblodhën sot pasdite për të shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të punëve të filluara ndërtimore, konkretisht zgjerimin e bulevardit, me çka, siç konsiderojnë ata, uzurpohet një pjesë e sipërfaqes së përbashkët ku janë banesat e tyre, do të cenohet hyrja deri te ndërtesat, do të vihet në pikëpyetje siguria e tyre, do të prishet sipërfaqja e gjelbër dhe do të merren hapësirat për parking, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast një grup banorësh të ndërtesave, sot pasdite për një kohë të shkurtër bllokuan rrugën “Bosnjë e Hercegovinë”, ku në emër të qytetarëve u drejtua Stevçe Sokollovski, i cili tha se qytetarët nuk kanë qenë të informuar se në këtë bulevard do të kryhen aktivitete ndërtimore.
“Me zgjerimin e bulevardeve 'Bosnjë e Hercegovinë' dhe 'Hristian Todorovski Karposh' do të uzurpohet sipërfaqja e gjelbër, bulevardi do të arrijë 10 metra në hyrjen e ndërtesave tona. Fëmijët menjëherë vijnë pas bulevardit, ndërsa ne nuk jemi të sigurtë se do të vozitet me shpejtësi të kufizuar dhe mund shumë lehtë të ndodhin aksidente", deklaroi për AA, Sokollovski. Ai tha se fëmijët e këtyre ndërtesave nuk do të kenë ku të luajnë dhe të socializohen.
Prandaj, sqaroi Sokollovski, banorët e ndërtesave në rrugën “Bosnjë e Hercegovinë” hartuan kërkesat ku adresuan arsyet dhe nesër të njëjtën do ta dorëzojnë deri te Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit, meqë nuk janë të sigurtë saktë se kush i kryen aktivitetet ndërtimore sepse, siç theksuan, askush nuk i ka lajmëruar.
Mes tjerash, qytetarët kërkojnë që të vijnë persona kompetentë nga institucionet, për t’i sqaruar dhe të tregojnë se ajo që do të bëhet nuk do të cenojë sigurinë e banorëve, veçmas fëmijëve. Ata besojnë se mund të gjejnë zgjidhje me të cilën nuk do të uzurpohet hyrja e banesave ekzistuese. Po ashtu, paralajmëruan se në shenjë revolte ndaj aktiviteteve ndërtimore edhe nesër pasdite do të organizojnë tubim të qetë.