Sibel Vezaj
28 nëntor 2016•Përditësim: 29 nëntor 2016
PRIZREN/PRISHTINË (AA)- Në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren sot në orët e mëngjesit ka ndodhur një sulm me lëndë djegëse, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha për sulmin të ndodhur ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, bëri të ditur se 5 persona janë arrestuar.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha bëri të ditur se në orën katër të mëngjesit ndaj Konsullata është gjuajtur me një lëndë, e cila mendohet se është gaz molotovi. Ai u shpreh që kjo do të vërtetohet së shpejti.
“Të gjitha ekipet e policisë së bashku me mua si prokuror kemi dalur në vend të ngjarjes, kemi dhënë udhëzimet për hetuesit. Forenzika ka kryer punën e vet. Ndërkohë falë një angazhimi serioz të Kosovës janë arrestuar 5 persona, janë intervistuar dhe ata janë nën ndalim. Hetimet janë duke vazhduar”, tha Hoxha.
Ndërkaq kryprokurori gjithashtu bëri të ditur se me këtë rast ka pasur dëme të vogla materiale, ku është thyer një xham i Konsullatës.
“Nuk ka dëmtim tjetër të ndërtesës, as dëme në njerëz”, tha së fundi Hoxha, duke bërë të ditur se ndodhet në një takim me konsullen e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit.
Yağcılar reagon për sulmin ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren
Ministri i Administratës Publike të Kosovës dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (KDTP), Mahir Yağcılar, ka dënuar sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren.
Në një njoftim për mediat nga KDTP bëhet e ditur se ky sulm i ndërmarrë nga një grup të rinjsh nuk mund të jetë i pranueshëm nga Republika e Turqisë dhe komuniteti turk i Kosovës.
“Kemi shqetësime se llojet e tilla të akteve mund të shkaktojnë dëme të mëdha tek struktura multi-kulturore, shumëgjuhëshe, dhe multi-fetare e Republikës së Kosovës”, është shprehur Yağcılar.
Ai po ashtu ka mirëpritur punën e shpejtë të Policisë dhe të Prokurorisë Themelore të Kosovës në arrestimin e autorëve të këtij sulmi dhe të institucioneve të Kosovës për deklaratat dënuese për këtë akt.
“Ne haptazi dëshirojmë të shprehemi se të gjithë institucionet shtetërore duhet të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme në të ardhmen. Ngjarjet e ndodhura edhe më parë si fshirja e shenjave të komunikacionit në gjuhën turke, sulmet ndaj nxënësve, largimi i flamurit turk na bëjnë të ndihemi thellësisht të mërzitur”, ka shtuar ministri Yağcılar.
Ai po ashtu ka vënë në dukje se nuk duhet harruar që struktura demokratike dhe e pavarur e Republikës së Kosovës është arritur edhe me ndihmën e Republikës së Turqisë dhe të komunitetit turk të Kosovës.
Thaçi dënon ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin kundër Konsullatës Turke në Prizren .
Presidenti Thaçi gjithashtu ka lavdëruar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe identifikimin dhe ndalimin e të dyshuarve për këtë rast.
“I përgëzoj organet e rendit për reagim të shpejtë dhe të suksesshëm. Çështja tani është në duart e drejtësisë ”, ka përfunduar reagimin e tij Presidenti Thaçi.
Qeveria e Kosovës dënon sulmin ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, të kryer gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
"Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla të shëmtuara, në radhë të parë kanë për synim që të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe të lëndojnë miqësinë e saj me shtetet partnere. Duke vlerësuar punën e organeve të rendit dhe të drejtësisë në arrestimin e kryesve të këtij akti të ulët, Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin plotësisht motivet, të vënë kryesit e saj para drejtësisë si dhe të ndërmarrin masa që akte të tilla të mos përsëriten më", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kovës.
Gjithashtu Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve miqësore me Republikën e Turqisë.
MPJ e Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren
Në një njoftim nga MPJ thuhet se ministria e Punëve të Jashtme përgëzon Policinë e Kosovës për punën profesionale në arrestimin e personave të papërgjegjshëm të cilët e kanë kryer këtë akt të shëmtuar. MPJ kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.
Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, ku e ka dënuar ashpër aktin.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve miqësore me Turqinë”, thuhet në njoftim nga MPJ.
"Sulmi ndaj Konsullatës Turke dëmton imazhin e qytetarisë demokratike"
Në një njoftim për publikun, Komuna e Prizrenit bën të ditur se “Veprimet e tilla të shëmtuara, nuk i bëjnë nder askujt dhe dëmtojnë rëndë imazhin e qytetarisë demokratike që klasa politike dhe qytetarët po e ndërtojmë ditë më ditë në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimeve euro-atlantike si e vetmja alternativë qytetare."
"Solidarizohemi me miqtë dhe aleatët tanë turq"
Ambasadori Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dënuar ashpër sulmin e sotëm ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren.
Në një postim në rrjetet sociale të tij, ambasadori O’Connell ka shkruar se “Ndihem i lehtësuar që askush nuk u lëndua. Solidarizohemi me miqtë dhe aleatët tanë turq. Ne besojmë që autoritetet e Kosovës do të marrin masa për të siguruar që autorët e krimit të sillen para drejtësisë”.