Sibel Vezaj
16 Maj 2017•Përditësim: 16 Maj 2017
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi Thaçi ka falënderuar ministrin Mikser për mbështetjen që i ka dhënë Estonia popullit dhe shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Thaçi po ashtu ka shprehur pritjen e Kosovës, që me marrjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga Estonia, Kosova të ketë një mbështetje edhe më të madhe në jetësimin e prioriteteve afatshkurta.
Duke theksuar se kriteri i demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është i padrejtë, presidenti Thaçi ka thënë se “Prioritet emergjent mbetet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Vonesat e krijuara janë të pajustifikueshme”.
Ai po ashtu ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian mbetet opsioni i vetëm për qytetarët e Kosovës. Sipas Thaçit BE-ja nuk duhet të vonohet me integrimin e Ballkanit Perëndimor, “meqë ato po shfrytëzohen nga fuqi të mëdha për të destabilizuar rajonin”.
Kurse nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser ka theksuar se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën.
Ndryshe, sot në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ministri Mikser u takua edhe me kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministren e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj.