Figen Shaban
07 Prill 2017•Përditësim: 08 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në panelin “Forca e Sigurisë së Kosovës – Perspektivat e së Ardhmes”, organizuar nga organizata jo-qeveritare Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), raporton Anadolu Agency (AA).
Thaçi gjatë fjalimit të tij bëri të ditur se përmes një letre që i ka dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që “iniciativa ligjore të mos vihet në rend dite edhe pak kohë derisa të sigurojmë dhe përpjekjen e fundit që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese."
Ai gjatë panelit bëri të ditur se sot përmes një letre zyrtare iu është drejtuar Veselit dhe anëtarëve të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që të pritet edhe pak kohë derisa institucionet e Kosovës dhe partnerët e saj strategjik nuk përfundojnë përpjekjet e fundit për të siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Ai duke theksuar se të gjitha mundësitë tjera për themelimin e FAK-ut janë të shterura, tha se iniciativa ligjore për ndryshimin e mandatit dhe rolit të FSK-së është krejtësisht legjitime, kushtetuese dhe në funksion të forcimit të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës.
Thaçi theksoi se partnerët strategjik të Kosovës duhet ta dinë se përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të arritur këtë qëllim janë tejet serioze dhe qëllimmira dhe shtoi se është esenciale që përfaqësuesit të komunitetit serb mos të mendojnë që institucionet e Kosovës po heqin dorë nga themelimi i FAK-ut.
Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie gjtaë fjalimit të tij në këtë panel tha se partneriteti SHBA-Kosovë në çështjen e transformimit të FSK-së është kritik dhe thelbësor për ndërtimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Ai tha se transformimi i FSK-së në FAK duhet të bëhet në mënyrë kushtetuese, transparente dhe me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve e që kjo sipas tij kërkon dialog, gatishmëri dhe kompromis.
Delawie tha se FSK-ja tashmë ka rreth 7 për qind pjesëtarë nga komunitete jo-shqiptare dhe 47 pjesëtarë të komunitetit serb, por sipas tij ata duhet që të futen në rangun e oficerëve, duke shtuar se këto përpjekje janë inkurajuese.
“Mbes optimist se udhëheqësit e Kosovës do të bëjnë përpjekjen e duhur dhe do ti lënë anash supozimet dhe do të arrijnë në marrëveshje që është në interes të tyre”, tha Delawie.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert tha se Franca e përkrah plotësisht projektin e Thaçit për ta themeluar FAK-un dhe shtoi se kjo duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe graduale, sipas tij, në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës dhe në bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe miqve ndërkombëtar përfshirë NATO-n.
Ai u shpreh se asnjë shtet tjetër nuk e ka të drejtën e vetos për ta ndaluar Kosovën në këtë drejtim. “Franca natyrisht është e gatshme që të punoj me Kosovën dhe anëtarët e NATO-s për të ndërtuar një mjedis për themelimin e FAK-ut”, tha Chabert.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Branimir Stojanovic, tha se edhe nëse bëhet transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nuk do të bëhet ndonjë ndryshim drastik në cilësinë e jetës së qytetarëve, sepse sipas tij qëndrojnë çështje edhe më të rëndësishme se themelimi i FAK-ut.
Ai më tutje tha se problemet të cilat duhen të zgjidhen në rend të parë janë punësimi i të rinjve, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut pa dallime etnike apo partiake. Stojanovic tha se dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel ka arritur t'i zgjedh shumë probleme, por sipas tij çështjet nga e kaluara nuk harrohen sepse ende "vuajmë nga çështjet e së kaluarës."