Fatjon Cuka
16 Shkurt 2017•Përditësim: 17 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temë "Tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë", qëllimi i së cilës ishte konsultimi me grupet e interesit, ekspertët dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në lidhje me projektligjin e hartuar për këtë çështje, raporton Andolu Agency (AA).
Duke folur në hapje të aktivitetit, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministri, Pandeli Majko, u shpreh se Komisioni i Ligjeve ka ndërmarrë një proces të gjerë konsultimi publik për paketën e 27 projektligjeve të reformës në drejtësi, të hartuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtar.
"Ky diskutim për projektligjin 'Për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë' zhvillohet në vijim të tryezave të organizuara deri tani. Pjesë janë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, kancelarë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, si dhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen për zbatimin e këtij ligji, siç është Ministria e Drejtësisë, Ministrave e Financave, etj. Qëllimi i kësaj tryeze është marrja e sa më shumë opinioneve, që do të ndihmojnë në përgatitjen e një versioni përfundimtar të projektligjit", u shpreh Mjako.
Sipas tij mendimi i ekspertëve të fushës është i domosdoshëm që paketa e ligjeve të marrë formë përfundimtare.
Projektligji "Për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë" ka për qëllim përcaktimin e përgjithshëm të kategorive të tarifave të shërbimeve për veprimet e administratës gjyqësore.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë ky projektligj ka si prioritet përmirësimin e shërbimit dhe të financimit të institucioneve të sistemit gjyqësor. Projektligji në fjalë është pjesë e një pakete ligjore që synon përmirësimin e aksesit në gjykata për çështje të bazuara në ligj, uljen e mbingarkesës së gjykatave si dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë për përdoruesit e gjykatave.