Figen Shaban
18 Gusht 2017•Përditësim: 19 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Në Qendrën Rekreative të Gërmisë (parku natyror në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë) sot filloi kampi "Dizajni dhe Natyra" i organizuar nga organizata joqeveritare kosovare për talent dhe arsim – TOKA, me pjesëmarrjen e 40 të rinjve të moshës 14-17 vjeçare nga e gjithë Kosova, raporton Anadolu Agency (AA).
Nxënësit e shkollave të mesme nga mbarë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në këtë kamp përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative do të zhvillojnë projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.
Drejtoresha e organizatës për talent dhe arsim – TOKA, Jehona Gjurgjeala, në një intervistë për AA tha se kampi "Dizajni dhe Natyra" ka për qëllim që të krijojë një mundësi për të rinjtë e Kosovës, që ata vetë të japin ide për projekte që mund të ndihmojnë shoqërisë kosovare, ku pastaj edhe mund t'i realizojnë këto projekte me punë vullnetare.
“Kampi 'Dizajni dhe Natyra' është kampi i pestë për këtë verë i organizuar nga organizata TOKA. Ky kamp ka për qëllim emancipimin dhe zhvillimin e të rinjve në Kosovë nëpërmes aktiviteteve të edukimit joformal, të shoqërimit, që të provojnë gjëra të reja si për shembull ngjitja në murin alpin, olimpiada e ujit dhe disa aktivitete që i ndihmojnë që ta njohin vetveten dhe se çfarë ofron bota”, tha Gjurgjeala.
Gjurgjeala tha se në këtë kamp ka nxënës nga mbarë Kosova, duke theksuar se është edhe një grup i nxënësve që i përkasin komunitetit rom. “Janë disa kritere, për shembull ne dëshirojmë që të kemi diversitet në grup. Prandaj kemi pjesëmarrës prej komuniteteve të ndryshme dhe prej vendeve të ndryshme të Kosovës", u shpreh Gjurgjeala.
Ndërsa, 16 vjeçari Tahir Zogaj nga Malisheva, i cili merr pjesë në kampin e TOKA-s për herë të dytë duke folur për arsyen pse ka zgjedhur këtë kamp, theksoi se me anë të aktiviteteve që do t'i zhvillojnë në këtë kamp do të mësojnë për punën vullnetare për "t'i shërbyer Kosovës dhe moshatarëve të tyre."
“Nga ky kamp pres që të njoh moshatarët e mi, t'i kuptoj eksperiencat e të tjerëve dhe t'i zhvillojmë idetë tona që të ndryshojmë diçka në shoqëri”, tha Zogaj.
Kampi do të zgjatë një javë, deri më datën 25 gusht