Figen Shaban
13 Shtator 2017•Përditësim: 14 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+) në një konferencë për media prezantoi raportin për monitorimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik të Kosovës (OSHP) për periudhën mars-qershor 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Isuf Zejna, hulumtues në Demokraci Plus (D+) tha se gjatë kësaj periudhe raportuese D+ ka gjetur se problem kryesor në punën e OSHP-së mbetet ruajtja e integritetit institucional duke bërë të ditur se OSHP ballafaqohet me hetime dhe aktakuza qoftë për anëtarët e bordit ose ekspertët shqyrtues të këtij institucioni.
Ai tha se mungesa e rregullave ose zbatimi i këtyre rregullave që shërbejnë për parandalim të korrupsionit ose konfliktit të interesit janë arsyeja pse kanë ndodhur gjëra të tilla në këtë institucion.
Zejna po ashtu nënvizoi një tjetër problem duke theksuar se adresimi i rekomandimeve është shumë i ulët dhe vetëm 25 për qind e rekomandimeve të Demokraci Plus (D+) janë bërë publike.
Ai më tutje shtoi se mbledhjet e mbyllura duke përfshirë të gjitha seancat e shqyrtimit apo vendimmarjes në OSHP janë një tjetër problem. Ai rekomandoi se këto mbledhje dhe seanca duhet të bëhen të hapura për publikun për të mundësuar monitorimin e vendimmarrjes.
“Konfiskimi i tarifave të ankesave ose depozitave të cilat bizneset duhet ti paguajnë në mënyrë që të kenë të drejtë të parashtojnë ankesën. Edhe këtu kemi standard të dyfishtë të vendimmarjes përderisa disa bizneseve kjo tarifë u konfiskohet nëse nuk u aprovohet ankesa. Kjo tarifë i dëmton bizneset ose bizneset nuk janë të barabarta në OSHP. Kjo është me rëndësi sepse është një vlerë e madhe e tarifës që mund të arrijë deri në 5 mijë euro nëse kemi standarde të ndryshme në vendimmarje bizneset dekurajohen për të parashtruar ankesa”, tha Zejna.
Ndërsa, monitoruesja e OSHP nga D+, Sara Zhubi, e cila shpalosi rekomandimet e D+ tha se kur kanë përgatitur raportin e rekomandimeve kanë parë që një tjetër problem në OSHP është edhe çështja e konfliktit të interesit që është mjaft prezente në këtë institucion, ku sipas saj, duhet të merren masa për parandalimin e tij.
“Ndërsa sa i përket ekspertëve gjithashtu OSHP duhet të masë performancën e këtyre ekspertëve në mënyrë që të vlerësohet më mirë puna e tyre. Të mos i angazhojë ekspertët e njëjtë për çështje të caktuara të ndonjë institucioni apo kompanie e cila paraqet ankesë në OSHP”, tha Zhubi.