Agim Sulaj
22 Tetor 2019•Përditësim: 23 Tetor 2019
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ka hapur konferencën ndërkombëtare dyditore "Studime albanistike në Itali", raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë kanë marrë pjesë dhjetëra kontribuues, studiues nga vende të ndryshme si Shqipëria, Italia, Franca, Greqia.
Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja tha se studimet albanologjike u bënë ballë edhe sfidave bashkëkohore, avancimit të metodave dhe modernizimit të ideve dhe pikëpamjeve.
"Studimet në fushën e albanologjisë në Kosovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme e punës shkencore. Një segment i kërkimeve shkencore që ka njohur vazhdimësi dhe ngritje të pandërprera. Edhe më shumë se kaq, në 70 vitet e fundit albanologjia në Kosovë u bë sinonim i identitetit dhe i përkatësisë. Një fushë ku ndodhën përplasje të mëdha dhe ku albanologjisë ndonjëherë iu dha edhe roli i armikut të shtetit, madje edhe roli i ndonjë ideologjie të tërë", tha Kraja.
Ai tha se albanologëve të rinj nuk po u vlerësohet puna në Kosovë. Ndërsa shtoi se "përmes studimeve në këtë fushë është vendosur një qëndrueshmëri e komunikimit të Kosovës në gjithë botën".
Kryetari i Këshillit Organizativ, Rexhep Ismajli theksoi nevojën e Kosovës për një prezencë kulturore italiane.
"Raportet e shqipes me latinishten, me italishten, me romanitetin tjetër në Ballkan, kanë qenë vazhdimisht në vëmendje të studiuesve italianë. Nuk është e rastit që pikërisht në Itali kemi botime me peshë për traditën e studimit dhe të dokumentimit të shqipes si fjalori i parë i Frank Bardhit më 1635, gramatika e Françesko Maria Da Leçes më 1716, për të vijuar pastaj me studimet e përdegëzuara në shekujt e më vonë", tha Ismajli.
Ismajli shtoi se albanologët kanë krijuar një traditë që është e përhapur gjithandej, "ata e kanë ndërlidhur veprimtarinë e tyre me atë të arbëreshëve dhe italianëve".
Në hapjen e konferencës u theksua se në këtë drejtim ka shumë punë për të bërë ndërsa konferenca u pa si nxitje për këtë.
Kjo konferencë shkencore është vazhdimësi e konferencës për studimet albanistike në Amerikë që u mbajt në vitin 2015 dhe studimet në vendet ku flitet gjermanisht, e organizuar në vitin 2017 nga ASHAK.
Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë përgatitur kuadro, pedagogë e studiues dhe që kanë realizuar projekte të rëndësishme studimi.